Rama: Ky vit do shënojë marrëdhënie të re të përballjes së policisë me krimin
Kryeministri Edi Rama në një takim me efektivët e policisë, vlerësoi si heronj 5 efektivët që shmangën grabitjen në Fier pak ditë më parë, ndërsa shkëmbyen plumba me grabitësit, duke lënë të vrarë një prej tyre.
“Është një nder i posaçëm që nderoj kolegët tuaj, të cilët u bënë shembull i kurajoz dhe integritetit të policisë që duam. Një shtet mund të rrisë pagat, mund të miratojë ligje dhe strategji për rritjen e profesionalizmit, mund të përmirësojë kushtet materiale dhe logjistike, gjëra që ne i kemi bërë dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë edhe në vijim, por, në fund të ditës, ajo që e bën dallimin final në përballjen me krimin është trimëria dhe karakteri i atyre që janë në fushën e kësaj beteje të përditshme. E pamë së fundmi edhe në një vend si Franca. E shohim përditë në Shqipëri, në një shumëllojshmëri veprimesh dhe aktesh në përmbushjen e detyrës nga individë dhe njësi të Policisë së Shtetit, që shpeshherë i kryejnë këto veprime dhe akte larg vëmendjes së publikut dhe të mediave, por që në vazhdimësi na japin provën se investimi ynë për të mbështetur rritjen e mëtejshme të forcës goditëse të Policisë së Shtetit është i duhuri”, ka thënë Rama.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Kryeministri vuri në dukje se 5 efektivët ishin shpresa e fundit e çiftit të moshuar.
“Sot shpreh jo vetëm në emër të Qeverisë, por edhe të shumë njerëzve të zakonshëm, admirimin dhe mirënjohjen për 5 prej jush që e përmbushën detyrën me nder edhe pse grabitësit lëshuan mbi ta plumba. Ju ishit shpresa e fundit dhe mbrojtja e një çifti të moshuar bashkëshortësh. Po kjo patrullë rreth një muaj ndoqi me shpejtësi të lartë dhe arrestoi grabitësin e armatosur që i mori jetën një qytetari. Çdo ditë dhe çdo natë policët zhvillojnë një betejë të pabarabartë me kriminelët, pasi janë ata që vendosin vendin dhe kohën e përballjes”.
Më tej, Rama deklaroi se ka marrë fund koha kur komisarët e policisë vriteshin dhe kjo sipas tij, falë vendosmërisë së kësaj qeverie për t’i shkuar deri në fund luftës ndaj krimit. “Ka marrë fund koha kur komisarët e Policisë vriteshin rregullisht, kur efektivët e policisë braktiseshin në rrugë. Këto falë vendosmërisë dhe lidershipit politik në Ministrinë e Brendshme”.
Duke folur për objektivin e këtij mandati, Kryeministri theksoi se “Objektivi brenda këtij mandati është që Policia e Shtetit të radhitet në Policinë Europiane. Do ta arrijmë këtë objektiv të madh historik për Shqipërinë e Policinë e Shtetit”.
Sakaq, Kryeministri deklaroi se Vetting-u në Policinë e Shtetit është gjë e re në rajonin tonë, siç është gjë e re në rajon sipas tij, edhe reforma në drejtësi. Ai lajmëroi se pas pak javësh do të nisë një tjetër proces në drejtoritë vendore në 12 qarqe: ballafaqim publik për forcimin e rolit të policisë në komunitet”, ka thënë kryeministri Rama.
Nëse keqbërësit nuk ulin armën, Policia do të përgjigjet me armë
Duke iu drejtuar mjaft policëve të ftuar në kryeministri, bashkë me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, Rama u shpreh: “Nëse keqbërësit nuk ulin armën dhe me armë kërcënojnë jetën e policisë, përgjigja me armë ndaj tyre mbetet e vetmja përgjigje që ata mund të marrin dhe që do të meritojnë në çdo rast.
Do të ketë gjithnjë grabitës që do të synojnë banesat e qytetarëve, por do të ketë gjithnjë e më shumë një polici të gatshme për t’i vënë prapa hekurave.
Është e freskët koha, kur policia e shtetit patrullonte me armë pa fishekë dhe me uniforma të katandisura si mos më keq.
Rama: Heqja e Shqipërisë nga harta e kanabisit
Sipas Ramës, sot Shqipëria është në kushtet kur falë punës së përbashkët, forca e shembullit të drejtuesve dhe punonjësve me integritet të policisë së shtetit, përbën edhe busullën e angazhimit të kësaj qeverie.
“Ky vit do të shënojë një rritje të mëtejshme të këtyre rezultateve, si zbulimi i 85% i veprave penale në fushën e luftës kundër narkotikëve. Heqja e Shqipërisë nga harta e kanabisit, nuk qe një rastësi, por një punë dhe strategji, nga e cila ka nisur një betejë e re”, tha Rama. Ai dha edhe shifra ku theksoi se Policia ka arritur të sekuestrojë 40 milionë euro pasuri kriminale, 40 herë më shumë se 1 milion eurot e sekuestruara në vitin 2013.
Vetting-u në Policinë e Shtetit, gjë e re në rajon
Kryeministri ka deklaruar se Vetting-u në policinë e shtetit është gjë e re në rajonin, siç është është gjë e re në rajon edhe reforma në drejtësi. Pas pak javësh një tjetër proces vendor do të nisë në 12 qarqe, ku do të ketë ballafaqim publik për forcimin e rolit të policisë në komunitet.
Sipas Ramës, ky vit do shënojë marrëdhënien e re të përballjes së policisë me krimin e organizuar, sepse vitet do vijnë duke u bërë të zeza për krimin. Sipas tij, operacioni ‘Forca e ligjit’ sapo ka nisur, ndaj ky operacion sipas Ramës tregon rezultate premtuese.
“Ne kemi marrë vendim për t’u dhënë përgjigjen e merituar bandave që me lloj-lloj manovrash kanë grabitur shtetin dhe pronarët duke regjistruar prona. Operacioni ‘Forca e ligjit’ do të japë përgjigje edhe në ketë drejtim”.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij e konsideroi ngjarjen e ndodhur në Fier, si shembull dhe mësim për këdo që tenton të drejtojë armën kundër efektivëve të Policisë.
“Edhe pse jeta e këtyre punonjësve u vu në rrezik real nga sulmi i armatosur, i menjëhershëm dhe i papritur i grupit kriminal, ata nuk hezituan të përmbushin detyrën që kushtetuta dhe ligji iu ka ngarkuar. Në këtë mënyrë ata justifikuan besimin që qytetarët e Fierit, por edhe të gjithë Shqipërisë kanë sot tek punonjësi i Policisë së Shtetit. Natyrisht që askush nuk është i lumtur kur humbet një jetë, qoftë kjo edhe e një personi të përfshirë në krim, por nga ana tjetër ne nuk mundemi të jemi aspak të druajtur që Policia e Shtetit t’i përgjigjet në mënyrën e merituar kujtdo që jo vetëm kryen veprimtari kriminale, por më shumë akoma, sulmon me armë punonjësit e Policisë së Shtetit. Kjo ngjarje e rrezikshme le të bëhet mësim, për këdo që mund të guxojë të drejtojë armën kundër punonjësit të Policisë së Shtetit”, theksoi ndër të tjera ministri.