Rama në Estoni: Shqipëria e palëkundur në krah të NATO-s, shqiptarët “talebanë perëndimorë”
Gjatë vizitës së tij në Estoni, kryeministri Edi Rama mori pjesë në panelin hapës të Konferencës “Lennart Meri”, një nga forumet ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Europës.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se orientimi i Shqipërisë drejt NATO-s mbetet i palëkundur, ndërsa në mbështetje të kësaj bëri një batutë, duke thënë se shqiptarët janë “talebanë perëndimorë”.
“Shqiptarët janë talebanë perëndimorë. Çfarë do të thotë kjo? Ne jemi me Aleancën Transatlantike deri në fund, çfarëdo që të ndodhë”, tha Rama, duke nënvizuar qëndrimin e prerë të Shqipërisë në krah të NATO-s.
Në vijim të fjalës, kryeministri u ndal edhe te situata gjeopolitike globale dhe sfidat e Bashkimit Europian, duke cituar edhe ish-kryeministrin italian Mario Draghi dhe raportet e tij mbi ekonominë europiane. Ai theksoi nevojën për më shumë vendimmarrje dhe veprim konkret nga BE-ja, duke paralajmëruar për rrezikun e fragmentarizimit të politikave të sigurisë dhe ekonomisë.
Sipas Ramës, Europa duhet të forcojë koordinimin e brendshëm dhe të përshtatet me realitetin e ri global, duke shmangur “mbireagimet” dhe duke ndërtuar një strategji më të unifikuar për mbrojtjen dhe sigurinë e saj.
“Po përballemi me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë përparësitë ekonomike dhe që fragmentarizimi të dobësojë reagimin. Europa duhet të trajtojë problemet e saj strukturore dhe të kuptojë se konteksti ka ndryshuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri nuk mungoi as në batutat për mikpritjen në Estoni, duke thënë se kishte “sjellë pak diell” me vete dhe se ushqimi në vend e kishte surprizuar pozitivisht. “Zbulova që ushqimi këtu është i shkëlqyer dhe u sigurova të sjell pak diell. Shoh që tani kur do të largohem është sërish errësirë”, u shpreh ai me ironi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.