Rama në Lezhë: Kontrasti mes të shkuarës dhe të tashmës është kaq i prekshëm
Kryeministri, njëherësh kryetar i PS, Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët në Lezhë, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Pjerin Ndreu.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, Lezha, kur e mori PS, ishte një nga qytetet më të papastërta në Shqipëri, ndërsa sot është një nga bashkitë më të pastra të vendit.
Rama tha se, pastrimi është gjëja më elementare, por te kjo gjë elementare është edhe ndarja më e madhe mes tyre dhe kundërshtarit.
Rama shtoi se, sot Shqipëria në sytë e botës është aty ku nuk ka qenë kurrë më parë.
Rama theksoi se, 3 veprat e mëdha për Lezhën, që do të përfundojnë gjatë mandatit të dytë të Pjerin Ndreut janë: Lidhja e Lezhës me Tiranën nëpërmjet aksit Milot – Balldren, aksi Shengjin – Velipojë dhe bajpasi i Shëngjinit.
“Unë besoj që këtu në Lezhë që nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Sepse këtu kontrasti mes të shkuarës dhe të tashmës është kaq i prekshëm. Kur Lezha zgjodhi Pjerinin, Lezha ishte një nga qytetet më të papastërtia në Shqipëri. Sot Lezha, jo vetëm qyteti, por bashkia Lezhë është një nga bashkitë më të pastra të vendit. Po shikoja sheshin, dhe nëse ai aty mos të kishte pirë cigare, asnjë bisht cigareje nuk do të ishte në shesh”, tha Rama.
“Pastrimi është gjëja me elementare, por të kjo gjë elementare është edhe ndarje mes nesh dhe atyre. Që nuk e di se si vijnë në Lezhë dhe kërkojnë vota, kur e kanë të shkruar në ballë që janë të paaftë dhe të padenje për të marrë besimin e Lezhës”, theksoi Rama.
Rama foli edhe për situatën e pronave në Lezhë.
“Ça bënë ata këtu në Lezhë? Përveçse ngatërruan pronat në bregdet dhe e çuan bashkinë në pikë të hallit”, tha Rama.
Sa i përket projekteve të reja, Rama tha se, “ne tani kemi ambicie të bëjmë lidhjen e Lezhës me Tiranën dhe pa e çuar një lezhjan për 15-17 minuta në Tiranë nuk e kemi bërë detyrën. Bajpasi i Shëngjinit, Shëngjin – Velipojë dhe Milot-Balldreni janë 3 veprat që dua që brenda mandatit të dytë të bëhen realitet”.