Rama në “Porta a Porta”: Përgjigje inkurajuese për një konferencë donatorësh
Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se Europa nuk do ta lërë vetëm Shqipërinë, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Në studion e emisionit “Porta a porta” në Raiuno për panelin e organizuar nga gazetari Bruno Vespa, për informimin dhe sensibilizimin e publikut italian mbi pasojat e fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit, Kryeministri Rama theksoi se “shpresoj që Europa nuk do të na lërë vetëm, bota nuk do të na lërë vetëm. Besoj që edhe politikanët, qeveritë, të kenë të njëjtin frymë, shpirt të zjarrfikësve tuaj, do ishte bukur sikur zemra, fuqia mendore e politikanëve të ishte e barabartë me atë të zjarrfikësve”.
“Nëse është e vërtetë ajo thënia ‘ajo çka nuk të vret të bën më të fortë’, atëherë ne duhet ta kthejmë këtë në një fakt të prekshëm, të dukshëm në vend. Ne jemi duke punuar në rrafshin e rindërtimit që të jetë ky një rifillim dhe i bukur, sepse bukuria mund të shërojë traumat dhe plagët shumë të thella”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “sot unë vij drejtpërdrejt nga samiti i NATO-s, nga Londra ku i bëra thirrje të gjitha vendeve që të japin një kontribut së bashku përmes një konference të madhe të donatorëve dhe ka një përgjigje mjaft inkurajuese zemërdhënëse, sepse me fondet tona njerëzisht është e pamundur ta bëjmë të gjithë këtë”.
“Ju keni përvojën tuaj në Itali, jeni një vend i G7 keni jetuar përvoja, ka raste ku sot njerëzit akoma nuk kanë hyrë në një shtëpi. Pra duhen bërë shumë gjëra njëkohësisht, shpresoj që Europa nuk do të na lërë vetëm, bota nuk do të na lërë vetëm. Besoj që edhe politikanët, qeveritë, të kenë të njëjtin frymë, shpirt të zjarrfikësve tuaj, do ishte bukur sikur zemra, fuqia mendore e politikanëve të ishte e barabartë me atë të zjarrfikësve”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur këshillës së Bruno Vespës, sipas të cilit, kryeministri “duhet t’i shtyjë pak, t’i japë një detyrë secilit vend dhe pastaj të kontrollojë që ato të respektojnë vendimin, Rama tha: “Unë nuk e di se çfarë do të bëjnë nesër por për momentin nuk doja të mëkatoja, sepse nga ana e qeverisë italiane, te kryeministri Konte, gjeta një person, të cilin si politikan mund ta kem gjykuar, por si njeri është një njeri me zemër të stërmadhe”.
Drejtuesi i emisionit “Porta a porta”, Bruno Vespa, tha se është dëshmitar i Rilindjes së Friulit pas tërmetit. “Këtë duhet të bëni edhe ju të përfitoni nga tërmeti e të bëni gjëra të bukura. Friuli, nga një rajon i varfër u bë një rajon i pasur. Shpresoj që edhe Shqipëria rindërtimin ta bëjë shpejt, më shpejt se ne që na u desh të bëjmë Akuilën për 10 vjet. Jepini fuqi, forcë njerëzve sepse pikërisht nga ato rrënoja duhet ndërtoni një Shqipëri më të fortë, më moderne”, tha ai.
Vespa tha gjithashtu se “shpresoj që solidariteti ndërkombëtar për ju do të jetë më i mirë, sepse për Akuilën pak vende bënë shumë, të tjera vende shumë të rëndësishme nuk bënë asgjë. Ju duhet që t’u qëndroni mbrapa se në këtë çast premtimet janë të shumta”.
Kryeministri Rama tha se janë 38 mijë sipërmarrësit shqiptarë në Itali, të cilët paguajnë kontribute si sipërmarrës të vegjël e të mesëm”. “Unë jam shumë krenar dhe Vittorio e di që studentët e huaj më të mirë në Itali janë shqiptarët. Ne jemi shumë krenarë për faktin që jemi një popull që kemi shumë të meta në fund të fundit unë them gjithmonë që italianët janë shqiptarë të veshur me Versace”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “unë besoj se kemi një të mirë të madhe që është e shkruar edhe në Kushtetutën tonë të parë në kanunin shqiptar të mesjetës ku fjalia e parë thotë se “Shtëpia e shqiptarit i përket Perëndisë, Hyjit dhe Mikut”. Jemi i vetmi vend që kemi pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, sepse asnjë hebre nuk është përzënë, nuk është denoncuar”.
“Ne gjatë luftës së Kosovës kemi pritur 500 mijë vetë dhe me një popullsi prej 3 milionë banorë dhe me Italinë lidhja ka qenë shumë e fortë”. Në studion e emisionit “Porta a Porta” ishte i ftuar edhe gazetari italian Vittorio Sgarbi me vajzën e tij, Alba, nëna e së cilës është shqiptare.
“Shqipëria është një vend i madh, babai im ka qenë në Shqipqri dhe më ka treguar për udhëtimet e tij në Tiranë dhe Durrës. Edhe unë e kam vizituar Shqipërinë në vitet e demokracisë”, tha Sgarbi. Vajza e tij, Alba, u shpreh se “prej 50 vitesh nuk kishte tërmete të tilla në Shqipëri. Kur të mbaroj provimet do shkoj në Shqipëri të ndihmoj dhe fizikisht”.