Rama në shtypin francez: Europa ka nevojë për Ballkanin për unitetin dhe sigurinë e saj
“Afrimi i Ballkanit me Europën nuk është fitimprurës vetëm për Ballkanin, por është gjithashtu edhe për Europën. Europa ka nevojë për Ballkanin në të njëjtën masë që Ballkani ka nevojë për Europën, për t’iu përgjigjur në mënyrë të koordinuar kërcënimeve të sigurisë, për të ruajtur unitetin dhe për të kontrolluar më mirë kufijtë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë të publikuar sot në seksionin frëngjisht të portalit “Euroactiv”.
Gjatë vizitës së tij në Francë, Kryeministri Edi Rama gjeti kohë për të komunikuar mesazhin e tij edhe me mediat franceze.
Kreu i qeverisë është ndalur gjatë tek momenti vendimtar në të cilën ndodhet Europa dhe Shqipëria, në prag të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave për vendin tonë.
Duke shprehur besimin se “nuk do të ketë një ndërprerje të negociatave”, gjatë kësaj interviste, Rama theksoi midis të tjerash se vendimi për hapjen e negociatave do të ishte fitimprurës për sigurinë dhe unitetin e të gjithë Europës, ndërsa theksoi se “lënia përgjysmë e punës së bërë deri më tani në Ballkan do të ishte një gabim i përmasave monumentale”.
Duke pranuar nevojën e artikuluar më parë edhe nga Presidenti Macron, për një reformë të brendshme në BE, Rama u shpreh se Shqipëria kërkon qartësi në qëllimet e BE-së. “Duhet të na thuhet po ose jo. Të thuash po, por të mendosh jo, nuk e ndihmon aspak procesin”, nënvizoi Rama.
Gjithashtu, duke komentuar zhvillimet në Ballkan, Kryeministri shprehu mendimin se “lënia e Ballkanit, si një zonë gri në mes të Europës, e ekspozuar ndaj çfarë do lloj presioni të jashtëm”, do të ishte një gabim që do të ndikonte rëndë në të ardhmen e rajonit tonë dhe të gjithë kontinentit.
Në vijim, intervista e plotë e Kryeministri Rama:
Zoti Kryeministër, Presidenti Emmanuel Macron mbajti një fjalim të kujdesshëm mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Gjirin e Bashkimit Europian. Cila është përgjigja juaj?
Kam pasur fatin që të diskutoj ballë për ballë me Presidentin Macron, si në Paris, ashtu edhe në Samitin e Sofjes. Gjatë këtyre bisedimeve, kemi prekur tema të ndryshme rreth të ardhmes së Ballkanit dhe Shqipërisë, si dhe mbi reformën e ardhshme brenda BE-së, etj.
Unë po përsëris atë që them prej disa muajsh tashmë. Shqipëria është pranë kalimit nga njëra fazë në tjetrën. Komisioni Europian ka rekomanduar qartësisht dhe pa asnjë kufizim hapjen e negociatave. Unë mendoj që negociatat duhet të hapen, pasi kemi punuar fort për të arritur deri në këtë pikë. Nuk bëhet fjalë për një anëtarësim të menjëhershëm, por për një punë të madhe që na pret përpara, me shpresën që do të jemi gati të bëhemi një vend anëtar në vitet e ardhshme. Por, qëllimi ynë nuk është që të bëhemi anëtar sot për sot.
Kur ju thoni se dëshironi të shndërroheni në një vend anëtar brenda disa vitesh, cila do të ishte sipas jush një datë e arsyeshme për pranimin e Shqipërisë dhe të pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor në BE?
Nuk mendoj se është e arsyeshme që të fiksojmë një datë që tani, pasi ndaj të njëjtin mendim me Presidentin Macron rreth faktit që përpara integrimit tonë, është e rëndësishme që të reformohet Bashkimi Europian, në mënyrë të atillë që të jetë në gjendje të përthithë pa probleme vendet e reja.
Thellimi paraprak i shumë strukturave të BE-së është plotësisht legjitim dhe në gjykimin tim, një veprim i drejtë. Por, e vetmja gjë që duhet harmonizuar ndryshe, është një thellim paralel në të njëjtën linjë me Ballkanin. Bashkimi Europian duhet të na japë instrumentat e duhur për të thelluar marrëdhëniet tona. Negociatat e anëtarësimit kanë lindur posaçërisht si një instrument për thellimin e këtyre marrëdhënieve.
Çfarë rreziku do të përbënte për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, një stopim i mundshëm i këtij procesi?
Nuk besoj që do të ketë një ndërprerje të negociatave. Në të njëjtën kohë, jam i bindur që afrimi i Ballkanit me Europën nuk është fitimprurës vetëm për Ballkanin, por është gjithashtu edhe për Europën. Europa ka nevojë për Ballkanin në të njëjtën masë që Ballkani ka nevojë për Europën, për t’iu përgjigjur në mënyrë të koordinuar kërcënimeve të sigurisë, për të ruajtur unitetin dhe për të kontrolluar më mirë kufijtë.
Lënia e Ballkanit mënjanë do të krijonte një zonë gri në zemër të Europës, e cila do të ishte e ekspozuar ndaj çfarëdo presioni të huaj. Kjo, pa dyshim, nuk do të ishte diçka e mirë për Europën.
A vazhdon projekti europian të ngjallë entuziazëm në Shqipëri apo ka edhe në vendin tuaj segmente të opinionit publik që vendosin në pikëpyetje rëndësinë e integrimit?
Jo, askush në Shqipëri nuk vendos në pikëpyetje rëndësinë e integrimit. Në vendin tonë nuk ka asnjë parti anti-europiane dhe as ndonjë parti komuniste. Shqipëria është një vend i përbërë nga muslimanë dhe të krishterë, por feja e vetme që na bashkon është Europa.
Pikërisht, Shqipëria mund të shndërrohet në vendin e parë me shumica muslimane që i bashkohet BE-së. A mendoni se faktori fetar peshon mbi negociatat, në një kohë kur në disa vende anëtare vërehet një rritje gjithmonë e më e madhe e ndienjave islamofobe?
Muslimanët shqiptarë janë muslimanët më pro-europioanë dhe më pro-atlantikë që mund të gjesh, në kuptim që ndajnë ekzaktësisht të njëjtat sentimente me të krishterët kur vjen fjala tek Europa, tek NATO, etj.
Çfarë prisni ju nga samiti i ardhshëm europian në qershor dhe nga samiti i Londrës për vendet e Ballkanit Perëndimor?
Pikë së pari, mendoj që samiti i qershorit është shumë i rëndësishëm, pasi nga ai samit do të varet në një masë të madhe edhe gjendja shpirtërore në të cilën do të takohemi në korrik, kur do të kemi takimin e përvitshëm në kuadër të Procesit të Berlinit. Në qershor, ne shpresojmë që të hapim negociatat.
Ndërsa Shqipëria është duke negociuar për integrimin në Bashkimin Europian, çfarë përshtypje ju lë vendimi i Britanisë së Madhe për t’u larguar prej Unionit?
Ju e dini, dikush që dëshiron të martohet, e ka të vështirë të kuptojë atë që kërkon të divorcohet. Kjo është pak a shumë ndjenja që ndajmë tani.
Procesi i integrimit të Turqisë në Bashkimin Europian ka mbërritur në një pikë të vdekur, por formalisht negociatat nuk janë pezulluar ende. A mendoni se kjo mungesë qartësie mund të hipotetizojë një efekt të mundshëm rikoshet në negociatat me Ballkanin?
Ne e dimë shumë mirë se procesi i integrimit të Turqisë në Bashkimin Europian ka një historik shumë të veçantë. Ajo që për ne ka qenë gjithmonë e qartë në këtë proces, në botëkuptimin tim, është mungesa e qartësisë. Duhet të na thuhet qartësisht, ekzaktësisht, po ose jo në kuptimin e procesit të integrimit. Të thuash po, por të mendosh jo, nuk e ndihmon aspak këtë proces. Europa ka bërë gabime në të shkuarën dhe besoj se do të ishte një gabim i përmasave monumentale, që të lihej përgjysmë puna e bërë në vendet ballkanike.