Rama nga kioska e djegur në Tiranë: Është gërmadha e jetës së një familjeje. S’është dora e studentëve, por pengmarrje e qytetit me maska
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga protesta e djeshme në kryeqytet, duke u ndalur te një prej kioskave të djegura. Ai u shpreh se pas këtyre bizneseve të vogla qëndrojnë mundi dhe sakrifica e familjeve të zakonshme, ndërsa akuzoi opozitën se po e përdor protestën për qëllime politike. Kryeministri Edi Rama ka dalë në një prej zonave të dëmtuara nga protesta e djeshme në Tiranë, ku është ndalur te një prej kioskave të djegura, duke e cilësuar atë si gjithë mundin dhe sakrificën e një familjeje.
Në një deklaratë nga vendngjarja, kreu i qeverisë tha se pas bizneseve të vogla qëndrojnë vite pune, djersë, ëndrra dhe shpresa të prindërve që përpiqen të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre.
“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, djersës, ëndrrave e shpresës së një familjeje të zakonshme”, u shpreh Rama, duke iu drejtuar sipërmarrësve të vegjël që kanë pësuar dëme nga protestat.
Ai u shpreh se familjet e prekura nuk janë vetëm dhe premtoi mbështetje pas përfundimit të situatës së tensionuar. “Dua t’u them atyre që sot janë me lot në sy para gremadhave të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm. Sapo kjo flakë të kalojë, do të jemi aty të gjithë bashkë”, deklaroi kryeministri.
Rama solli në vëmendje edhe tërmetin e rëndë që goditi vendin, duke thënë se shqiptarët arritën të përballonin pasojat dhe të rindërtonin shtëpitë e dëmtuara përmes bashkëpunimit. Më tej, kreu i qeverisë kundërshtoi lidhjen e protestës me studentët, duke argumentuar se djegia e bizneseve dhe dëmtimi i pronës nuk përfaqësojnë shqetësimet e tyre për një jetë më të mirë.
“Kjo s’ka lidhje fare me studentët. Kjo flakë nuk është flakë studentore”, u shpreh Rama. Ai e cilësoi situatën si një “pengmarrje të qytetit me maska” dhe akuzoi opozitën shqiptare se qëndron pas kësaj mënyre të protestimit, duke pretenduar se ajo është përfshirë në veprime që kanë dëmtuar vendin edhe më parë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.