Rama nga Mali i Zi: BE të mos vonojë integrimin, të kalojë te anëtarësimi gradual
Nga Tivati i Malit të Zi, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Bashkimi Europian duhet të mbajë metodologjinë e meritës, por duhet të shkojë (pa vonesë) drejt anëtarësimit gradual”.
“E them prej shumë kohësh, më në fund po dëgjohet, por nuk është mjaftueshëm. Nëse doni t’i dërgoni botës një mesazh të fortë, sot është momenti, sot jemi të gjithë rreth tryezës dhe duhet të kemi të gjithë një status të veçantë. Nuk është shumë vonë, por nuk është mjaftueshëm! Duhet t’i japim kurajo BE-së që të na nxisë më fort. Ka një propozim në letër të Gjermanisë e Francës, shpresoj që miqtë e mi do të bëjnë akoma më shumë”, tha kreu i qeverisë para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“Argumenti i rrezikut ka kaluar, e kemi dëgjuar, shumë udhëheqës të BE-së janë larguar, unë vazhdoj të jem këtu. BE duhet të ketë guximin që sot të kemi një moment Helmut Kohl, ne nuk u themi fëmijëve qëndroni te fqinjët derisa të jeni gati, por i mbajmë në shtëpi”, shtoi ai, referuar një momenti historik politik në Europë që lidhet me ish-kancelarin gjerman Kohl. Ky i fundit ishte një nga arkitektët kryesorë të ribashkimit të Gjermanisë.
“Zoti, seksi dhe Bashkimi Europian nuk mund të parashikohen”, ishte kjo batuta në mbyllje të deklaratës së tij.
Ky samit bën bashkë liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Takimi zhvillohet 6 muaj pas samitit të mbajtur në Bruksel dhe do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në samit do të marrin pjesë gjithashtu Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.