Rama pret familjarët e Isa Boletinit: Ceremonia, më 10 qershor në Vlorë
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte një takim në zyrën e tij me familjarë të heroit tonë kombëtar, Isa Boletini.
Në një prononcim për mediat pas takimit, Rama, përveç se ka falenderuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjarët e heroit, ka bërë të ditur detajet e ceremonisë së varrimit të eshtrave të tij.
“Data e caktuar për ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë mbetet 10 qershori. Rrugëtimi i eshtrave do të kryhet përmes gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ceremonia do të përmbyllet në Sheshin e Pavarësisë në Vlorë dhe Isa Boletini do të prehet pranë mikut dhe vëllait të tij, Ismail Qemali”, ka thënë Rama.
Shefi i qeverisë ka përfituar nga rasti për të nënvizuar nevojën që historia e heroit kombëtar t’u përcillet edhe gjeneratave të reja.