Rama: Sfida e universiteteve, lidhja me tregun e punës
Kryeministri Edi Rama tha të premten se universitetet duhet të prodhojnë kapacitete për tregun e punës dhe kjo është një sfidë komplekse që kërkon rishikim rrënjësor të organizimit të tyre.
“Sfida që kemi përpara është lidhja e universitetit me botën sot, në mënyrë që ai të mos prodhojë diploma për të papunë nesër, por të prodhojë kapacitete të reja për tregun e punës sot. Kjo është një sfidë komplekse që kërkon një rishikim rrënjësor të organizimit dhe sjelljes së universiteteve me tregun e punës”, u shpreh kryeministri i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të një grupi studentësh të Universitetit ‘Ismail Qemali’ në Vlorë.
Duke e vënë theksin në rëndësinë që ka marrja e dijeve në shkolla, kryeministri tha se pikërisht tek padija i ka rrënjët dhe prapambetja ekonomike e vendit tonë, në raport me vendet e BE-së.
“Mjafton një shembull i thjeshtë që është dhe shumë aktual, Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Evropë për burime hidrike dhe për fuqinë potenciale energjitike të bazuar në burimet hidrike. Vendi i parë është Norvegjia. Sot, Norvegjia është jo vetëm i parë për nga ato çka i ka falur natyra, por dhe vendi i parë për transformimin e fuqisë së natyrës në formën e fuqisë hidrike. Ne jemi jo të dytët, por të parët nga fundi për mënyrën se si pasuritë tona në këtë drejtim nuk i kanë shërbyer transformimit në mirëqenie dhe burim fitimi për vendin dhe njerëzit, por janë kthyer në burim problemesh të panumërta”, u shpreh Rama.
Ai u ndal tek domosdoshmëria e një kapërcimi të madh që universitetet tona duhet të bëjnë për t’u hapur karshi inovacionit dhe për të qenë të hapura në raport me tregun e punës dhe komunitetin.
Sipas kryeministrit Rama, reformat e shumta në fushën e dijes do t’i lidhin universitetet me tregun e punës. “Reformat tona janë në radhë të parë të fokusuar për të çliruar energji të reja në funksion të dijes dhe për t’i dhënë mundësi vendit që përmes rritjes së dijes të mund të rrisë cilësinë e të vepruarit dhe të bashkëvepruarit në të gjithë sektorët e jetës, për t’u kthyer në një motor zhvillimi, ndryshimi të fokusohet në kapitalin njerëzor”- u shpreh kryeministri.
Rama tha se të hënën Ministria e Arsimit dhe Sportit do të publikojë një raport monitorimi të kryer së fundi në sistemin parauniversitar, nga i cili do të kuptojmë sa shumë jofunksionale dhe sa të sëmura janë rrënjët e sistemit tonë të dijes, i cili ka nevojë për një operacion rrënjësor.
“U nisëm të shihnim numrin e mësuesve jashtë profilit, i cili është i papranueshëm, por ka ende dhe një numër të madh mësuesish që nuk kanë arsimin përkatës. Ashtu sikundër që ka mësues që paguhen pa bërë mësim. Ditën e hënë do ta lançojmë këtë reformë në arsim. 26% e nxënësve në Shqipëri, ose një shifër e barabartë me rreth 177 mijë nxënës, janë në dorë të mësuesve që nuk kanë arsim ose janë jashtë profilit. Për të frenuar këtë gjë do të bëjmë provime liçencimi për mësuesit”, u shpreh Rama.
Duke u ndalur tek çështja e integrimit të Shqipërisë në BE, kryeministri theksoi se integrimi europian nuk është transformimi i parlamentit në një fabrikë ligjesh, e pastaj postimi i tyre për në Bruksel, por rëndësia qëndron tek zbatimi i tyre.
“Kjo është arsyeja se pse ligjet në Evropë bëhen me vështirësi dhe se vendet që kanë më pak ligje, kanë zbatueshmëri më të madhe të ligjit”, u shpreh kreu i qeverisë.