Rama sjell shembullin e Bahamasit për zhvillimin e turizmit: Flamingot nuk janë problem, por privilegj
Kryeministri Edi Rama ka vijuar postimet në rrjetin e tij social, duke e fokusuar këtë herë mesazhin te lidhja mes natyrës dhe zhvillimit turistik, duke sjellë si shembull flamingot dhe rolin e tyre në destinacionet turistike ndërkombëtare.
Në postimin e tij, Rama përmend rastin e Nassau në Bahamas, ku resorti i njohur “Baha Mar” dhe flamingot, sipas tij, janë kthyer në një simbol të identitetit turistik dhe një element që i shton vlerë destinacionit.
“Në Nassau të Bahamasit, një nga resortet më të famshme dhe më luksoze të Karaibeve, Baha Mar, flamingot nuk konsiderohen problem. Përkundrazi. Janë simboli i destinacionit. Janë pjesë e identitetit të vendit, pjesë e eksperiencës turistike, pjesë e imazhit me të cilin Bahamasi prezantohet paqësor e mikpritës para botës. Qindramijëra turistë fotografohen me flamingot çdo vit. Resortet organizojnë aktivitete rreth tyre. Fëmijët mësojnë për ta. Vizitorët vijnë nga larg edhe sa për t’i parë. Askush nuk pyet më nëse flamingot mund të bashkëjetojnë me turizmin. Pyetja është si të zhvillohet më tej turizmi në mënyrë që flamingot të mbeten gjithnjë aty. Sepse në ekonominë moderne natyra nuk është armike e zhvillimit. Është pjesë e zhvillimit. Flamingot nuk janë një problem për zhvillimin. Janë një privilegj. Janë një pasuri që shumë vende turistike do jepnin shumëçka që ta kishin, për ta kthyer në burim mirëqenieje”, shkruan Rama.
Ai shton se edhe Shqipëria, sipas tij, duhet të ndërtojë një model ku natyra dhe zhvillimi turistik bashkëjetojnë dhe forcojnë njëri-tjetrin, duke përmendur veçanërisht Vlorën dhe Zvërnecin si potenciale unike turistike.
“Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes flamingove dhe turizmit. Sfida jonë është të ndërtojmë një model ku flamingot, laguna, pylli, plazhi dhe turizmi i cilësisë së lartë të forcojnë njëri-tjetrin. Sepse në fund, askush nuk udhëton mijëra kilometra për të parë atë që gjen më afër. Njerëzit udhëtojnë për të parë atë që është unike. Dhe për Shqipërinë e shumë gjërave unike, një nga gjërat më unike janë pikërisht flamingot e Vlorës dhe bukuria e rrallë e Zvërnecit”, vijon postimi.
Rama thekson gjithashtu se disa marka ndërkombëtare luksoze të hotelerisë janë të përfshira në projekte turistike në vend, duke e lidhur këtë me potencialin e Shqipërisë për t’u bërë një destinacion i nivelit të lartë në turizmin botëror.
Në mbyllje të postimit të tij, kryeministri shprehet se Shqipëria duhet të ecë përpara në zhvillimin e turizmit modern:
“BUDALLALLËKU QË E KA MBAJTUR SHQIPËRINË PENG 100 VJET, S’KA PËR TA NDALUR DOT TË VAZHDOJË RRUGËN E NISUR PËR TA FUTUR KËTË VEND NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.