Ekonomia

Raporti, Fullani injoronte inspektorin e bankës

Dalin në dritë shmangie të kontrolleve të auditit të brendshëm në Bankën e Shqipërisë. Auditet u penguan, informon opinionin Erjon Braçe, kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.

Komisioni i Ekonomise

Nga Zamir Alushi

“Disa raporte të inspektorit të përgjithshëm të bankës janë dramatike; raporti i vitit 2010 dëshmon se kapaciteti nga pikëpamja e burimeve njerëzore në departamentin e kontrollit është vetëm 38%, auditet u penguan të bënin detyrën, auditeve nuk iu dha dhe iu refuzua tërësisht dhënia e informacionit. Konkluzionet e auditeve janë me rezervë, pasi informacioni i kërkuar për kontroll nuk u dha”, deklaron Braçe. Raporte të inspektorit të përgjithshëm të Kuvendit janë kërkuar në kohë të ndryshme nga deputetët dhe Kuvendi, por kjo është refuzuar nga Këshilli Mbikëqyrës t’i dërgohen Parlamentit. Praktika e inspektorit të përgjithshëm është e qartë në dy raste për raporte të vitit 2010, 2011, 2012. Inspektori i ka kërkuar me shkrim këshillit dërgimin e raporteve në Kuvend pas kërkesës së deputetëve, por është rrëzuar në këshill. “Në çdo raport bëhet me dije se struktura e Departamentit të Kontrollit nuk është plotësuar kurrë sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës nga drejtimi ekzekutiv i bankës dhe në vite shumë të rëndësishme ka qenë nga 38% deri në 50%; për këtë arsye nuk janë kryer shumë nga detyrat e kontrollit; pavarësisht këtij fakti, inspektori ka lënë vetëm një shenjë në fund të 2011-s e 2012-s në vlerësimin e kontrollit në Departamentin e Emisionit, nën përgjegjësinë e të cilit ka ndodhur vjedhja; inspektori në raport nuk flet për indicie apo kapje të vjedhjes nga ndonjë kontroll, por lë detyrë rishikimin e gjithë bazës rregullative të këtij departamenti”, informon Braçe. Raportet e inspektorit të përgjithshëm të bankës, sipas Braçes, flasin me detaje për probleme të mëdha në praktikën e marrjes në punë të njerëzve në bankë, për probleme të mëdha në praktikën e tenderëve, blerjeve të mallrave e shërbimeve në vlera të mëdha, në vlera të vogla, në marrjen me qira, në shpenzime të tjera, në buxhetimin etj.; raportet e inspektorit të përgjithshëm të bankës flasin për rekomandime që nga janari 2011, të cilat janë zbatuar gjithnjë deri në 50-57%; ndërkohë 10-11 rekomandime nuk janë pranuar ose nuk janë zbatuar fare (5%), janë ato që bëjnë fjalë për procedurat e tenderimit kryesisht. “Raportet e inspektorit të përgjithshëm të bankës flasin për një rekomandim që në maj të vitit 2006 të FMN-së për ngritjen e Komitetit të Auditit, që nuk është zbatuar kurrë deri pak ditë pas vjedhjes në Bankën e Shqipërisë”.

Takimi, alibi e guvernatorit

“Banka e Shqipërisë nuk ka informuar Kuvendin dhe në drejtimin tjetër, nga Kuvendi janë dërguar në bankë gra e burra, vëllezër e motra, djem e vajza, nipër e mbesa, kushërinj të tjerë të rrethit nepotik e politik të anëtarëve e udhëheqëseve të Parlamentit”, këmbëngul në qëndrimin e tij Erjon Braçe. Pasi i quan alibi deklaratat e guvernatorit Fullani, Braçe shprehet se ligji “Për Bankën e Shqipërisë” në asnjë nen nuk parasheh refuzim të informacionit për Kuvendin, qoftë ai edhe i klasifikuar; për më tepër, kurrkund në ligj nuk thuhet që informacioni i klasifikuar lexohet në zyrat e bankës”. Sipas tij, problem i madh në Bankën e Shqipërisë është raporti me ligjin. “Guvernatori kërkon takim me mua për të më informuar, por takimi nuk do të ndodhë derisa të zbatohet ligji dhe informacioni i kërkuar të vijë në Kuvend.”

Ligji

Ligji i bankës duhet riparë për të zgjidhur disa probleme, paralajmëron Braçe. Ligji ka kufizuar qeverinë duke e kushtëzuar atë me një vendim gjykate për një vepër penale që dënohet me burg. “E gjithë bota e ka zgjidhur këtë me norma të thella etike dhe dorëheqje, por kur këto këtu nuk ekzistojnë, atëherë duhet që përgjegjësia administrative të pasohet nga shkarkimi dhe kjo nuk duhet të lihet në dorë të një individi që s’e ndien hiç përgjegjësinë, por të ligjit”, shprehet Braçe. Ai deklaron se duhet të kishte dhënë dorëheqjen guvernatori, Këshilli Mbikëqyrës dhe inspektori. Meqenëse kjo nuk ndodhi, sipas kreut të Komisionit për Ekonominë, Braçe, duhet ndryshuar ligji.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button