Rashiq, Lista serbe dhe hija e Beogradit mbi zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 7 qershor, por paralajmërimet për një fushatë të ashpër, të polarizuar dhe të mbushur me dezinformim po shtohen çdo ditë. Gjuha fyese, propaganda politike, profilet e rreme në rrjete sociale dhe përmbajtjet manipuluese të krijuara me inteligjencë artificiale pritet të dominojnë një pjesë të debatit publik gjatë kësaj periudhe zgjedhore.
Që në javët e para të fushatës janë vërejtur profile të rreme, komente të organizuara, akuza të pabazuara, si dhe video e fotografi të manipuluara me inteligjencë artificiale, të cilat po përdoren për të ndikuar opinionin publik dhe për të diskredituar kundërshtarët politikë.
Megjithatë, zhvillimet më shqetësuese lidhen me situatën brenda komunitetit serb në Kosovë, ku raportimet e mediave lokale në gjuhën serbe në Graçanicë dhe Mitrovicën veriore flasin për presione të drejtpërdrejta politike dhe ndërhyrje nga Beogradi zyrtar përmes Listës Serbe, partisë që mbështetet nga pushteti i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas raportimeve, gjatë javëve të fundit disa qytetarë serbë në Kosovë janë larguar nga puna në institucione që financohen nga Serbia, përfshirë sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, me pretendimin se nuk mbështesin Listën Serbe, por janë të afërt me partinë e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Pretendime për presione dhe largime nga puna
Fushata joformale zgjedhore, sipas raportimeve dhe deklarimeve publike, ka nisur shumë më herët se fillimi zyrtar i saj. Përveç gjuhës polarizuese, janë raportuar edhe raste të presioneve politike, pengesave administrative, shkarkimeve nga puna dhe përdorimit të resurseve institucionale për ndikim tek votuesit.
Sipas të dhënave jozyrtare të publikuara në media lokale serbe, më shumë se 20 persona kanë humbur vendet e tyre të punës “në sistemin serb të arsimit dhe shëndetësisë” në Kosovë për shkak të lidhjeve të tyre me partinë e Nenad Rashiqit. Disa prej tyre kanë ngritur edhe padi ndaj institucioneve ku kanë qenë të punësuar.
Vetë Rashiq ka akuzuar Listën Serbe për ushtrim presioni dhe shantazh ndaj mbështetësve të tij politikë. Ai ka deklaruar se rreth 20 persona janë larguar nga puna dhe se edhe rreth 40 të tjerë rrezikojnë të shkarkohen vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Në media kanë dalë edhe dëshmi individuale. Një punonjëse e Qendrës së Shëndetit në Graçanicë ka deklaruar se është larguar nga puna pa shpjegim pas 35 vitesh pune, ndërsa politikani lokal serb në Graçanicë, Jovanoviq, ka thënë se bashkëshortja e tij është pushuar nga puna pasi ai nuk mbështet Listën Serbe.
Çka dihet deri tani?
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi më 19 maj se pesë persona të nacionalitetit serb, shtetas të Kosovës, janë ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas raportimeve në media dhe deklaratave të Nenad Rashiqit për kërcënime dhe presione ndaj votuesve në Graçanicë.
Pas këtyre zhvillimeve, zyrtarë të Serbisë dhe përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë Petar Petkoviq dhe Ivica Daçiq, kanë akuzuar Rashiqin se “po punon për Kosovën dhe jo për interesat e popullit serb në Kosovë”.
Shqetësime të vazhdueshme vendore e ndërkombëtare
Ndërhyrjet politike dhe presionet ndaj komunitetit serb në Kosovë janë adresuar edhe në raportet e mëhershme të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe nga raportues të institucioneve evropiane për Kosovën.
Analistët vlerësojnë se zgjedhjet e këtij viti mund të jenë ndër më të ndjeshmet për shkak të kombinimit të polarizimit politik, dezinformimit digjital dhe ndikimeve të jashtme politike, veçanërisht në zonat me shumicë serbe.
Në këtë kontekst, sfida kryesore mbetet mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor dhe garantimi i një ambienti ku qytetarët mund të votojnë lirshëm, pa presione politike, ekonomike apo propagandistike ./Telegrafi/.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.