Bota

Reagime ndaj fjalimeve të Pres. Trump në OKB

Ndërkohë që udhëheqësit botërorë po analizojnë përplasjet në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë, Kina ka mohuar me forcë akuzat e presidentit amerikan Donald Trump se Pekini po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet për në Kongres në Shtete e Bashkuara që do të mbahen në nëntor. Ndërkohë, janë intensifikuar përplasjet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe palëve të tjera nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, pasi Shtetet e Bashkuara po përgatitën të vendosin sanksione të reja ndaj Teheranit.

Akuzat e Presidentit Donald Trump kundër Kinës në OKB befasuan shumë të pranishëm. Në një konferencë shtypi të mërkurën në mbrëmje, Presidenti u pyet se çfarë provash kishte për pretendimet e tij.

“Do të dalin. Nuk mund t’ju them tani. Por ka prova, nuk e kam thënë këtë pa arsye”.

Kina i ka mohuar me forcë akuzat për përpjekje për të ndikuar në politikën amerikane. Disa analistë, si Steve Tsang i Institutit për Kinën, theksojnë se Presidenti Trump nuk e përmendi Rusinë.

“Duket sikur akuzat që Presidenti Donald Trump i bëri ndaj Kinës, kur me qëllim nuk e përmendi Rusinë, ishin një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen brenda Shteteve të Bashkuara. Kinezët janë mjaft të zemëruar për këtë. Dhe unë mendoj se Putini në Rusi është mjaft i kënaqur me këtë.”

Akuzat e Presidentit Trump, së bashku me rritjen e tarifave tregtare, shënojnë një përshkallëzim të madh të tensioneve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

“Çështja kryesore për Kinën është statusi dhe qëndrimi i Presidentit Xi dhe i gjithë partisë komuniste. Presidenti Xi nuk mund ta lejojë dhe nuk do të pranojë që të duket i dobët përpara një sulmi amerikan si ky,” mendon Steve Tsang, Instituti për Kinën, Universiteti Soas i Londrës.

Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën, Presidenti Trump u përqëndrua edhe në pikëpamjet e tij mbi Iranin, duke e akuzuar atë për “përhapje të kaosit, vdekjes dhe shkatërrimit”.

“Unë mendoj se ai po përpiqet të qetësojë aleatët e tij në rajon, si Këshilli i Bashkëpunimit të vendeve të Gjirit, Arabia Saudite dhe Izraeli. Dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për të, sepse ai është përpjekur t’i përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara, që aleatët kishin me Obamën,” shprehet Aziz Alghashian, Analist i Lindjes së Mesme, Universiteti i Eseksit

Pesë vendet e tjera, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia, duan të krijojnë një sistem alternativ pagesash për të anashkaluar sanksionet amerikane ndaj Teheranit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo të enjten reagoi me zemërim.

“Duke mbështetur të ardhurat për regjimin ju po forconi statusin e Iranit si mbështetësi numër një i terrorizmit”.

Nga ana e tij, Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani vlerësoi përpjekjet për të mbajtur gjallë marrëveshjen bërthamore.

“Deri sa ne vazhdojmë t’i marrim përfitimet e premtuara në bazë të asaj marrëveshjeje për vendin dhe popullin tonë, ne do të mbetemi pjesë e saj. Nëse situata ndryshon, ne kemi rrugë dhe zgjidhje të tjera.”

Sanksionet e reja amerikane ndaj Iranit do të hyjnë në fuqi në nëntor, dhe Presidenti Trump është zotuar se ato do të jenë ‘më të ashpra se kurrë më parë’.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button