Reagon FFK pas deklaratave për kurdisje: Do të vazhdojmë ta mbrojë fuqishëm integritetin e garave
Në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, si dhe në përgjigje…
Në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, si dhe në përgjigje të interesimit të mediave lidhur me deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të klubeve në rrjete sociale, Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni i Integritetit të Garave dhe Komisioni i Garave, sqarojnë si në vijim:
Federata e Futbollit e Kosovës monitoron në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm këtë xhiro, por të gjitha ndeshjet e kampionatit. Paralelisht, ekziston edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA, e cila përmes mekanizmave të saj të specializuar bën monitorimin dhe analizimin e ndeshjeve për çështje që lidhen me integritetin.
Brenda FFK-së funksionon Komisioni i Integritetit të Garave, ku për çdo ndeshje angazhohen përfaqësues të këtij komisioni me qëllim të mbikëqyrjes dhe raportimit të çdo situate potenciale që mund të cenojë integritetin e garës.
Federata e Futbollit e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për ruajtjen e integritetit të garave dhe nuk toleron asnjë formë të manipulimit të ndeshjeve apo ndikimit të paligjshëm në rezultatet sportive.
Lidhur me deklaratat publike të bëra nga zyrtarë të klubeve, FFK do t’i trajtojë ato me seriozitet të plotë dhe në përputhje me rregulloret në fuqi, do të iniciojë procedura disiplinore përkatëse, dhe sigurisht në bazë të kësaj do të përfshihen për të hetuar rastin edhe institucionet relevante, si Policia e Kosovës dhe organet tjera në kuadër të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, institucione të cilat tashmë janë të njoftuara.
Po ashtu, FFK është në komunikim të vazhdueshëm me mekanizmat përkatës të UEFA-s, të cilët kanë qenë në dijeni për deklaratat e tilla, ndërsa ndeshjet në fjalë kanë qenë dhe mbeten të monitoruara.
Megjithatë, ritheksojmë se shpeshherë në opinion qarkullojnë fjalë e deklarata për arsye të ndryshme, me qëllim dëmtimi i imazhit të njërit apo tjetrit klub, por edhe dëmtim të imazhit të përgjithshëm të futbollit të Kosovës, andaj ftojmë të gjithë ata që bëjnë pretendime publike që të paraqiten pranë organeve kompetente me fakte dhe dëshmi konkrete. Vetëm në bazë të provave të qëndrueshme mund të ndërmerren veprime konkrete dhe të garantohen procese të drejta.
Federata e Futbollit e Kosovës garanton se çdo individ apo klub që vërtetohet se është i përfshirë në manipulim të ndeshjeve apo cenim të integritetit të garave do të përballet me masa të rrepta disiplinore, deri në përjashtim nga të gjitha garat, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e FFK-së, si dhe normativat e UEFA-s dhe FIFA-s.
Rikujtojmë se të gjitha klubet pretendente për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare janë nën monitorim të vazhdueshëm, duke qenë se UEFA nuk lejon përfshirjen në garat e saj të ekipeve që cenojnë integritetin e ndeshjeve.
FFK fton gjithashtu çdo person që posedon informata të besueshme lidhur me raste të tilla që t’i paraqesë ato pranë organeve kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, teksa me rëndësi të veçantë do të ishin dëshmitë e drejtpërdrejta nga pjesëmarrësit apo akterët e ndeshjeve.
Federata e Futbollit e Kosovës, së bashku me të gjitha organet e saj, mbetet e përkushtuar maksimalisht për ruajtjen dhe avancimin e integritetit të garave, si dhe për ta çuar futbollin në nivel sa më të lartë, por edhe sa më të drejtë, transparent dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.