Reagon “Kosova Petrol”: Nuk jemi uzurpator, por investitor legjitim
Ndërmarrja për qarkullimin e derivateve të naftës “Kosova Petrol” ka reaguar ndaj, siç i quajnë ata të pavërtetave tendencioze, të botuara nga AKP-ja, lidhur me ndërmarrjen.
Kompania, përmes një njoftimi për media ke thënë se “Kosova Petrol” në Janar të vitit 2000, ka bërë kontratë dhe ka fituar lejen për menaxhim dhe administrim të ish pronave të Jugopetrolit dhe Beopetrolit.
Në këtë kontratë, siç thuhet në njoftim, “Kosova Petrolit” i është njohur e drejta legjitime e investimeve dhe afarizmit.
Ja reagimi i plotë i kësaj kompanie:
Ndërmarrja për qarkullimin e derivateve të naftës “Kosova Petrol” reagon ndaj të pavërtetave tendencioze, të botuara nga AKP-ja, lidhur me ndërmarrjen.
E ritheksojmë se “Kosova Petrol” në Janar të vitit 2000, ka bërë kontratë dhe ka fituar lejen për menaxhim dhe administrim të ish pronave të Jugopetrolit dhe Beopetrolit. Në këtë kontratë “Kosova Petrolit” i ështe njohur e drejta legjitime e investimeve dhe afarizmit. Gjatë kësaj periudhe 14 vjeçare, “Kosova Petrol” ka bërë investime disa milonëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës.
Pra, theksojmë zëshem se të gjitha asetet që janë krijuar e që janë: objektet nga themeli të ndërtuara, mjetet e punës, vendet e punës dhe kryesorja, që është tregu afarist, që të gjitha së bashku janë 80 % të aseteve të “Kosova Petrolit”.
“Kosova Petrol” nuk pretendon në pronën e tokës, e cila është ende e kontestueshme në mes të kompanive të jashtme dhe AKP-së, por ne theksojmë që asetet i takojnë “Kosova Petrolit”. Sa i përket tokës, të cilës ende nuk i dihet pronari, edhe pse pretendues janë disa kompani ndërkombëtare, si Beopetroli, INA e Zagrebit, mbetet që gjyqësori të japë verdiktin mbi këtë çështje.
Për informacion të opinionit publik, INA e ka humbur kontestin gjyqsor me Beopetrolin sa i përket pronës ne Serbi, po ashtu INA e ka bërë padinë pranë Dhomës së Posaçme tani e 10 vjet, e cila kërkon të drejtën e pronës (tokës) edhe në Kosovë dhe kjo lëndë ende është në procesin e gjykimit. Ndërsa, Beopetrolin para disa viteve e ka blerë kompania transnacionale “Lukoil”, ku në atë kontratë janë përfshirë edhe ish pronat e Beopetrolit- INA që janë në territorin e Kosovës. Përderisa, ish pronat e Jugopetrolit i ka blerë kompania ruse “Gazprom” së bashku me pronat e tokës në Kosovë.
Pra, kurdo që të zgjidhet kontesti gjyqësor për pronat tokësore, përfituesit duhet të përballen me realitetin e raportit të aseteve të investuara nga “Kosova Petrol” e që do të vlerësohen nga një agjension i pavarur ndërkombëtar i vlerësimit.
Të gjitha këto kompani gjatë viteve të kaluara disa herë kanë vizituar zyrtarisht “Kosova Petrolin” dhe ne ata i kemi njoftuar se për çështjen e pronës së tokës kompetent është vetëm vendimi i Dhomës së Posaçme pranë Gjykatës Supreme të Kosovës ose Arbitrazha Ndërkombëtare dhe në qoftë se këto kompani e fitojnë të drejtën mbi pronën e tokës, atëherë mund të negociojmë dhe të shohim raportin e aseteve, që sipas normave ndërkombëtare për vlerësim do të i përcaktoj një agjension i pavarur ndërkombëtar. Ne pretendojmë me fakte materiale se 80% e aseteve i takojnë “Kosova Petrolit”, kurse tokës i takon 20%.
Lidhur me rastin, AKP-ja i jep të drejtë vetes në mënyrë jo ligjore të shpallë tender për qëradhënie të objekteve, në të cilat 80% të aseteve i takojnë “Kosova Petrolit”. Kosova Petroli bazohet në aktin juridik të kontratës me Misionin e Kombeve të Bashkuara të Janarit të vitit 2000.
Me konkretisht, në kontratën e “Kosova Petrolit” me Misionin e Kombeve të Bashkuara theksohet shumë qartë në pikën 6 si vijon:
“6. Pranohet se është e nevojshme që të gjitha investimet që janë bërë deri më tani dhe që do të bëhën në të ardhmen të natyres kapitale, e që i ka bërë zoteri Bedri Selmani, të verifikohen dhe atyre tu jepet vlera reale afariste e tregut dhe monetare.”
Ta quash uzurpator “Kosova Petrolin” me pronar Bedri Selmanin, pas 14 vjetëve periudhe legjitime të investimeve, punësimeve, afarizmit dhe kontributit që i është bërë Buxhetit të Kosovës është skandaloze dhe e paparë në rrjedhat e afarizmit bashkëkohorë. Shtrohet pyetja fundamentale: a po respektohet Ligji për Investime në Kosovë? Nga kjo që ne po përjetojmë si njëra prej kompanive të para investuese nga emigracioni rrjedh se JO.
Kjo qasje e papresedan ndaj “Kosova Petrolit” tani e dy vitet e fundit i ka shkaktuar dëme të pakompensushme afariste kompanisë . Për të gjitha këto, kemi ngritur padine pranë Dhomës së Posaçme dhe kemi ngritur paditë e tjera te Gjykata Themelore për dëmet materiale dhe afariste që i janë shkaktuar “Kosova Petrolit”.
Si është e mundshme që disa individë të inkriminuar nga grupe të caktuara të interesit brënda AKP-së pretendojnë se kemi borxh ndaj AKP-së kur asnjëherë nuk kemi pasur raport kontraktual as me AKM-në dhe si pasuse juridike as me AKP-në tani. Për më tepër asetet e Kosova Petrolit asnjehere nuk kanë qene ne administrim as në menaxhim te AKP-së.
Përkundrazi, disa organizata buxhetore të shtetit na kanë miliona euro borxh, e të cilat janë në proces të epilogut gjyqësor.
Absurditeti më i madh në tërë këtë lojë juridiko-pronësore është se AKP-ja nuk e respekton Ligjin themelor 03/L-067, në bazë të cilit ushtron funksionet dhe përgjegjsitë. Konkretisht, ligji 03/L-067 , neni 5, paragrafi 2 të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili thotë, si vijon:
2. Nëse një rregullore ose ligj që është në fuqi dhe që është shpallur nga një autoritet kompetent publik në Kosovë pas 10 Qershorit 1999 i cakton përgjegjësinë për administrimin e aseteve të përcaktuara në nën-paragrafi 1.2. të paragrafit 1. të këtij neni një organi tjetër publik, Agjencia nuk do të ketë autoritet mbi këto ndërmarrje duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të atij ligji ose rregullore.
Pra, del qartazi se AKP-ja ndaj “Kosova Petrolit” nuk ka asnjë ingerencë administrative, sepse “Kosova Petrol” ka lejen për administrim dhe menaxhim të pikave të karburantit (aseteve në fjalë) nga Misioni i Kombeve te Bashkuara që nga Janari i vitit 2000 dhe gëzon të drejten e aseteve në bazë të investimeve direkte të bëra gjatë 14 viteve të afarizmit e që janë të mbrojtura me ligjin për investime.
I garantojmë të gjithë punëtorët se të drejtat legjitime që i kanë arritur gjatë këtyre 14 viteve në ndërrmarjen e tyre “Kosova Petrol” u janë të garantuara tani dhe në të ardhmen.
Çdo veprim i AKP-së i ndikuar nga grupe të caktuara të krimit te organizuar lidhur me këto prona është jo-legjitim dhe anti ligjor, sepse as nuk ka menaxhuar dhe as nuk ka administruar kurrë me këto prona.