Referendumi në PS, Klosi: Shprehje e lartë e demokracisë në parti
Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi deklaroi sot rezultatet e referendumit që u mbajt të shtunën me anëtarësinë e Partisë Socialiste.
“Partia Socialiste realizoi dje procesin e parë të një referendumi nga një parti politike në 25 vjetë demokraci. Dje foli anëtarësia e Partisë Socialiste. Procesi i marrjes së mendimit të anëtarëve të PS për çështjen :“Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër – A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit“ – ishte shprehje e lartë e demokracisë në parti, për një çështje të vendosur nga Kongresi”, tha Klosi.
“Ky ushtrim demokratik dhe organizativ, i parealizuar më parë nga asnjë forcë politike në vend, pati vlerësimin maksimal të anëtarësisë së Partisë Socialiste. 84 % e anëtarësisë së partisë ushtruan të drejtën e votës, në proces transparent dhe të monitoruar nga media dhe kushdo i interesuar për të. Kjo dëshmoi se përveç se, forca më demokratike në vend, Partia Socialiste është Partia më e organizuar në vend.
Sipas tij, “u respektuan në mënyrë korrekte kërkesat që parashikon Kodi i Zgjedhjeve në Parti për mbajtjen e referendumeve. Anëtarësia e partisë me vullnet të lirë hodhi votën sipas bindjes që kishte për çështjen që u shtrua. Mbi 95 % e anëtarësisë votoi për afirmimin e normës statutore që vendosi Kongresi, për të konsideruar të rinovuar automatikisht mandatin e kryetarit të partisë kur partia fiton zgjedhjet dhe partia është në qeveri, duke sjellë një risi në Statutin e Partisë Socialiste”.
“Gjithashtu është për t’u theksuar se infrastruktura zgjedhore e të tre niveleve, Komisioni Zgjedhor i Partisë, komisionet zgjedhore të 61 bashkive dhe komisionet zgjedhore të vendvotimeve të ngritura mbi bazë të njësive administrative organizuan zhvillimin e një referendumi me përgjegjësinë më të plotë, duke krijuar një përvojë të re në administrimin e proceseve zgjedhore sipas parimit një anëtar një votë”, tha Klosi.
Klosi ka reaguar edhe ndaj kundërshtarëve politikë që sipas tij, “i kanë kushtuar këtij procesi një dalje të posaçme mediatike. “Dua vetëm t’ju përgjigjem shkurt: Të na kuptojë e më pas të na kopjojnë. Ftoj Partine Demokratike të kryeje njëherë procese zgjedhore te rregullta dhe transparente, ashtu siç Partia Socialiste ka vite qe zhvillon. Deklaratat për monitorim të listave apo kontroll të tyre, janë shpikje vetëm të PD, siç ndodhi në gjasme garën për kryetar të kësaj Partie. Partia Demokratike të mësojë nga ne si bëhen zgjedhjet dhe të heqë çdo merak për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, se si cdo proces i organizuar nga ne, do të jetë i lirë, transparent dhe konform gjithë standarteve demokratike”, u shpreh Klosi.
Më poshtë rezultatet sipas Qarqeve :
Qarku Shkodër: Pjesëmarrja në votim 88,3%, votuan me PO 98,4%
Qarku Kukës: Pjesëmarrja në votim 74,4%, votuan me PO 97,5%
Qarku Lezhë: Pjesëmarrja në votim 76,6%, votuan me PO 95%
Qarku Dibër: Pjesëmarrja në votim 86,6%, votuan me PO 97,2%
Qarku Durrës: Pjesëmarrja në votim 84,3%, votuan me PO 96,8%
Qarku Tiranë: Pjesëmarrja në votim 85,6%, votuan me PO 93%
Qarku Elbasan: Pjesëmarrja në votim 84,5%, votuan me PO 95,9%
Qarku Fier: Pjesëmarrja në votim 87,2%, votuan me PO 96,3%
Qarku Berat: Pjesëmarrja në votim 84,9%, votuan me PO 94,6%
Qarku Korçë: Pjesëmarrja në votim 86,0%, votuan me PO 93,1%
Qarku Gjirokastër: Pjesëmarrja në votim 76,5 %, votuan me PO 94,5 %
Qarku Vlorë: Pjesëmarrja në votim 83.4 %, votuan me PO 93,4 %
Në total : Pjesëmarrja 84 %, nga të cilët u përgjigjën me PO – 94,9 %.