Kronika

Reforma në burgje/ Mbipopullimi problem kyç, “Arresti në burg”, jo vendim rutinë

Përmirësimi i sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale në vendin tonë, ishte thelbi i konferencës me temë, “Reformimi i sistemit penitenciar”, të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit në bashkëpunim me partnerët e huaj si OSBE-ja dhe Bashkimi Europian.

Gjatë konferencës të zhvilluar sot në Tiranë, ku mori pjesë edhe Ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, u vu theksi tek masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për reformimin e sistemit penitenciar, punësimin e të burgosurve dhe mbështetjen sociale të tyre.

Ministri Veliaj, në fjalën e tij u shpreh se punësimi i të dënuarve është rruga më e mirë për ri-integrimin e tyre në shoqëri. “Nelson Mandela, një nga të burgosurit më të njohur në botë ka thënë se vlera e një vendi duket nga mënyra se si trajton njerëzit në nevojë dhe jo personat e suksesshëm. Ne si Ministri e Mirqënies Socialet dhe Rinisë jemi në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Drejtësisë për të krijuar kushtetet e nevojshme për punësimin e të dënuarve dhe mbështetjen e nevojshme sociale për ri-integrimin e plotë të tyre”, tha Veliaj.

Zv/ Ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, në fjalën e tij shprehu gadishmërin e plotë të institucionit që ai drejton për t’i dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme Drejtorisë së Burgjeve në realizimin e një reforme të plotë në sistemin penitenciar.

Drejtori i Pergjithshem i Burgjeve, Artur Zoto. Gjate konferences, "Reformimi i sistemtit Penitenciar"

Drejtori i Pergjithshem i Burgjeve, Artur Zoto. Gjate konferences, “Reformimi i sistemtit Penitenciar”

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, vuri theksin tek puna e kryer nga institucioni që ai drejton për të përmirësuar infrastrukturën e sistemeve penitenciare në vend.  “Kemi hartuar një bazë ligjore europiane. Ligji për policinë e burgjeve dhe trajtimin e të burgosurve ka qenë themeli i punës sonë. Kemi luftuar korrupsionin, kemi krijuar një përfaqësi të dënuarish nga të gjitha IEPV-të e vendit për të bashkëpunuar në evidentimin e problematikës që personat e dënuar kanë e për të marrë masat e nevojshme për tejkalimin e kësaj problematike”, tha Zoto.

Florian Raunig, Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë edhe pse vlerësoi punën qeverisë për përmirësimin e sistemit penitenciar në vendin tonë, vuri në dukje koston e lartë që një i burgosur ka. “Prezenca e OSBE ka mbështetur ndryshimet e fundit në legjislacionin e sistemit penitenciar dhe është e gatshme të vazhdojë ofrimin e ekspertizës për zbatimin sa më të plotë të këtij legjislacioni”, tha Raunig.

“Situata në sistemin e burgjeve në Shqipëri ka shënuar përmirësime të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Ka ende shumë për të bërë, kryesisht në fusha specifike si gjendja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, por edhe nevoja për të përmirësuar programet individuale të rehabilitimit dhe riintegrimit, sikurse parashikohet edhe në ndryshimet e fundit në ligj”, tha Raunig.

Foto Florian Abazaj (2)Sipas tij, “prezenca synon dhe planifikon të vazhdojë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve të stafit të burgjeve, nëpërmjet ngritjes së një sistemi trajnimi të qëndrueshëm kaskadë, që do t’u përshtatet nevojave të sistemit të burgjeve dhe do të hartohet e zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Nëpërmjet këtij sistemi trajnimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të jetë e aftë të ofrojë ngritje cilësore të kapaciteteve të stafit, duke përdorur burime njerëzore të brendshme”, tha kreu i prezencës së OSBE-së në vend.

“Fatkeqësisht, shtoi Raunig, edhe pas punës së lavdërueshme të Shërbimit të Provës, shërbim i cili është mbështetur vazhdimisht nga Prezenca, por edhe pas zbatimit të ligjit për amnistinë, mbipopullimi në sistemin e burgjeve vazhdon të jetë problematik. Çdo person në sistemin e burgjeve u kushton pará taksapaguesve shqiptarë. Kostoja e një të paraburgosuri është 439 euro në muaj. Të pasurit e më pak personave në burgje do të thotë më shumë fonde të përdorura për shërbime për qytetarët shqiptarë”, vuri në dukje ai.

“Kjo, sipas Rauning, do të thotë se masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata gjatë dhënies së masës së sigurisë dhe jo si një vendim rutinë. Arresti në burg duhet të jepet si masë sigurie vetëm në rastet e parashikuara në legjislacionin procedural penal që janë: rreziku i shkatërrimit të provave; rreziku i largimit të të pandehurit dhe rreziku që i pandehuri të kryejë një vepër tjetër penale. Dhënia e kësaj mase sigurie përtej këtyre tri kushteve është cenim i së drejtës themelore të njeriut për lirinë vetjake, nuk është në përputhje me frymën e legjislacionit procedural penal, si dhe është e kushtueshme për ekonominë e vendit.”, përfundoi ai.Foto Florian Abazaj

Konferenca e zhvilluar sot në Tiranë, mori jetë në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, për prezantimin e masave të ndërmarra nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve për reformimin e sistemit penitenciar në vend.

Gjithashtu, kjo konferencë shërbeu dhe si një mundësi për të sjellë së bashku në një tryezë diskutimi përfaqësues të institucioneve penitenciare, shtetërore e gjyqësore, të organizatave të shoqërisë civiel, por dhe të partnerëve të huaj për të diskutuar mbi masat e mëtejshme që duhen ndërmarrë për të reformimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar në vend.

Gjatë konferencës gjithashtu u ngritën dhe grupet e punës që do të punojnë në vijimësi për të konkretizuar zbatimin e masave të parashikuara për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të burgjeve në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me aktorë të rëndësishëm të drejtësisë penale dhe aktorë të shoqërisë civile aktivë në këtë fushë. Gjatë aktivitetit morën pjesë, Zv/Ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. Clive Rumbold i ngarkuar me punë nga delegacioni i  BE-së në Tiranë, Ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, Florian Rauning, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Nicholas Cannon, Ambasadori i Mbretërisë së Britanisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button