Reforma në Drejtësi votohet në parim në komision. PD: Kemi ende vërejtje
Partia Demokratike rezistoi më pak se 24 orë dhe, atë që të dielën e quajti procedurë ekstraparlamentare dhe ekstrakushtetuese, e pranoi si një procedurë normale të hënën, duke votuar në parim draftin me ndryshimet kushtetuese.
“Durimi, edhe nga pikëpamja proceduriale u shpërblye, edhe me kontributin e opozitës”, u shpreh Fatmir Xhafaj për votimin në parim të reformës.
“Qëndrimi i opozitës është votim pro për fillimin e procesit të diskutimit nen për nen të amendamenteve, votim që nuk duhet të nënkuptojë edhe votën pro ndaj amendamenteve që kanë të bëjnë me çështje politike, të cilat nuk janë zgjidhur ende”, tha Eduard Halimi.
Çështja kryesore e pazgjidhur është ajo e shumicës së cilësuar për emërimin e rreth 30 drejtuesve të disa institucioneve të reja të drejtësisë. PD thotë se, shumica prej 3/5-at që propozohet në draft është e papranueshme dhe se është gati të votojë njërën prej formulave të propozuara nga Komisioni i Venecias.
“Tani çështja i ngelet shumicës nëse do të pranojë opinionin e Komisionit të Venecias, për gjetjen e kësaj formule, për të cilën opozita ka rënë dakord, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Topi tashmë është në fushën e mazhorancës për negociatat politike që do të vijnë”, vijoi më tej deputeti demokrat Halimi.
Tani për tani është herët, që shumica të ketë një përgjigje.
“Tani jam i bindur që do të gjendet një zgjidhje, që do të tregojë se realisht kjo shumicë e ka pasur dhe e ka vullnetin për ta shtyrë përpara këtë proces në mënyrë tejet pozitive. Çdo kompromis është i mundshëm, për sa kohë që ruan thelbin e këtij projekti”, deklaroi Fatmir Xhafaj.