Politika

Reforma në Drejtësi, Zaganjori: Të gjendet konsensusi; Manjani: Ankesa ndaj gjyqtarëve

Reforma në Drejtësi do të votohet dhe për këtë s’ka më nevojë për diskutime, prandaj mos neglizhoni punën tuaj të përditshme tha të hënën, Ministri Drejtësisë, Ylli Manjani, duke iu drejtuar gjyqtarëve.

I pranishëm në Konferencën Kombëtare Gjyqësore, ku do të zgjidhen dy anëtarët të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Manjani u shpreh me tone të ashpra ndaj gjyqtarëve, teksa i kërkoi të mos fshihen pas reformës, por të përqendrohen në detyrën e përditshme.

“Kam dëgjuar fjalë, do bëhet apo jo reforma. Reforma do bëhet dhe pikë. Nuk kemi pse të humbim kohë me këtë debat. Reforma do bëhet dhe ne nuk duhet t’i shesim qytetarëve të ardhmen, e të fshihemi përmes kësaj nga e tashmja. Çdo ditë ka ankesa, çdo ditë në sallat e gjyqit zgjidhet nga një hall, ose i shtohen halle të tjera qytetarëve”, tha Manjani.

Ministri i Drejtësisë, vuri sërish dorën në plagën e gjyqësorit, duke theksuar se pavarësisht reformës, drejtësia duhet të vijojë punën e saj me korrektësi të plotë.

“Mos punoni sikur të ishte dita e fundit e punës. Ai gjykatës që mendon se reforma është dita e fundit e punës suaj, e ka diku tjetër hallin, jo tek drejtësia. Çdo ditë regjistrohen ankesa të reja për ju, duke nisur nga vonesat në gjykime, nga shorti jo i saktë. Lidhur me këtë, shumë prej qytetarëve e dinë se kush do të jetë trupa gjyqësore ende pa rënë shorti. Kjo nuk duhet të ndodhë. Shtyrjet pa hesap janë tjetër siklet. Gjykatësi duhet t’i vë frenë edhe çështjes së raporteve mjekësore. Për masat e sigurisë, nuk kemi pse të vonojmë këtë proçes, duhet të përdorni dhe dënimet alternative. Po ashtu nuk duhet të ketë vonesa në argumentimin e vendimeve, kjo zgjat çështjet dhe lodh qytetarët”, bëri thirrje Manjani.

Kreu Ministrisë së Drejtësisë riktheu sytë tek çështja e lirimit të shqiptarit, që ishte dënuar në Francë. “Ripërsëris ndjesën publike karshi Francës. Duhet t’i kërkojë falje edhe Italisë dhe vendeve të tjera, pasi ato kanë shpenzuar miliona lekë për të kapur e dënuar dikë. Me të mbërritur në Shqipëri ky person lirohet”, shtoi Manjani.

Në fjalën e çeljes, Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori i bëri apel klasës politike të gjejë gjuhën e përbashkët për të votuar reformën në drejtësi.

“Reforma në drejtësi është një reformë që ndikon tek jeta e qytetarëve. Reforma në drejtësi duhet të jetë sipas standardeve të Bashkimit Europian. Ajo duhet të respektojë të drejtat e njeriut dhe duhet të garantojë sigurinë juridike, që vendimet zbatohen dhe ligji respektohet. Lidhur me
miratimin e ligjeve që i japin jetë reformës në drejtësi, Gjykata me ekspertët e saj është pjesë e qenësishme e grupeve të punës, që po hartojnë dhe plotësojnë kuadrin ligjor”, tha Zaganjori.

“I bëjë apel klasës politike të votojë reformën në drejtësi. Të gjejnë gjuhën e përbashkët për të realizuar me sukses objektivin e paracaktuar nga reforma”, vijoi Zaganjori, që shtoi se kjo reformë nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Ndryshimet kushtetuese janë gurë themeli për një sistem të duhur, ndërkohë që gjykatat përballen me fluks të lartë. Riorganizimi gjyqësor është i domosdoshëm. Synimi ynë është përmirësimi i sistemit të drejtësisë. Gjyqtarët duhet t’iu shërbejnë qytetarëve, pasi gjyqësori ka kontribute të mëdha për zhvillimin”, përfundoi Zaganjori. Rainer Deville, Shefi i Misionit Euralius IV në fjalën e tij përshëndetëse bëri thirrje për bashkëpunim në realizimin e reformës. Sipas tij, ka çështje të cilat diskutohen më shumë se çfarë është e nevojshme, ndërkohë që duhet vullnet i mirë për ti zgjidhur. “Reforma në Drejtësi është pikë kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE. Kam dëgjuar të debatohet për çështjen e riorganizimit të Gjykatës së Lartë, duke krijuar Gjykatën Administrative. Kjo është shumë e rëndësishme, por jo thelbësore në reformën në Drejtësi, prandaj duhet bashkëpunim. E rëndësishme është që drejtësia të drejtohet nga qytetarët dhe për këtë nevojitet akses në drejtësi nga të gjitha shtresat. Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë disa politike në këtë drejtim. Reforma në Drejtësi duhet të përforcojë këtë ide, se të gjithë kanë akses dhe mundësi të barabaratë në gjyqësor”, tha Deville.

Sipas axhendës së Konferencës Gjyqësore Kombëtare punimet e saj do të vijojnë me prezantimin e tre kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kandidatët janë, Dhimitër Lara, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Ridvan Hado, pjesë e trupës gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe Neritan Cena, Gjykatës i Rrethit Gjyqësorë Tiranë.

Kandidat fillimisht do të kalojnë sprovën e verifikimit të mandateve dhe përmirësimit të vazhdueshëm profesional, ndërsa më tej do të duhet të presin votimin për tu bërë pjesë e KLD-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button