Amerika

Reforma në imigracion ngec në Kongres

emigranteNjë vit pasi Senati amerikan miratoi një paketë reformash të përgjithshme në imigracion, një aktivist i njohur demokrat për reforma thotë se përpjekjet për masa të ngjashme në Dhomën e Përfaqësuesve kanë dështuar. Debati mbi këtë çështje tani është përqëndruar tek fëmijët e pashoqëruar nga prindër që vijnë nga Amerika Qendrore për në Shtetet e Bashkuara, një situatë që i ka ndërsyer demokratët dhe republikanët ndaj njëri-tjetrit.

Ligjvënësi demokrat Luis Gutierrez është përpjekur prej muajsh të nxisë republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të ulen me demokratët për të arritur marrëveshje mbi reformat në imigracion. Por republikanët thonë se nuk kanë besim se Presidenti Obama do të zbatojë ligjet aktuale, prandaj nuk lejojnë hedhjen e propozimeve në votë. Ligjvënësi Gutierrez e mori këtë javë fjalën për të shprehur irritimin e tij me republikanët:

“Pikësëpari, shansi që kishit për të luajtur rol në mënyrën si zbatohen politikat e imigracionit dhe deportimit mori fund. Megjithë kohën dhe hapësirën që patët për të hartuar projekt-ligjin, ju dështuat”.

Shumë analistë politikë thonë se nuk ka shumë shanse që reformat të miratohen këtë vit. Emily Ethridge punon për rrjetin e informacionit dhe analizës për zhvillimet në Kongres CQ-Roll Call.

“Mendoj se për pjesën tjetër të vitit, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet për Kongres, shanset janë tepër të pakta që ligjvënësit të veprojnë. Por kjo temë nuk do të zhduket dhe debati nuk do të fashitet”.

Për momentin debatet janë acaruar lidhur me ardhjen e 52 mijë fëmijëve nga Amerika Qendrore, të cilët futen nga Meksika ilegalisht. Fëmijët, të ardhur nga Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi, kanë mbushur qendrat e ndalimit në kufi me Meksikën.

Republikanët fajësojnë Presidentin Obama, të cilin e konsiderojnë si të butë në politikat e imigracionit. Përfaqësuesi republikan nga Arizona, Matt Salmon i bëri thirrje Presidentit të ndalë dyndjen e fëmijëve:

“I takon presidentit të marrë masat e duhura për të ndalur valën e immigrantëve dhe për të zbatuar politikën e sigurisë kufitare, ndërkohë që duhet t’u dërgojë një mesazh familjeve se është e kotë të rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve”.

Në një intervistë për rrjetin ABC, Presidenti Obama tha se kishte një mesazh për prindërit në Amerikën Qendrore:

“Mos dërgoni fëmijët në kufi. Nëse kalojnë kufirin, do t’i kthejmë. Por ajo që është më e rëndësishmja, nuk e keni të sigurtë se do të arrijnë të mbërrijnë deri në Shtetet e Bashkuara”.

Analistët politikë thonë se prindërit, të zënë në një situatë të dëshpëruar nga dhuna që ka pushtuar këto vende në Amerikën Qendrore, shpesh paguajnë rrjete trafikante për të dërguar fëmijët me autobusë ose trena drejt Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësit demokratë dhe republikanë pohojnë se trafikantët dhe kartelet e drogës po përhapin disinformata duke thënë se fëmijët do të marrin leje qëndrimi.

Demokratët thonë se republikanët janë përgjegjës për krizën, pasi nuk kanë lejuar hedhjen në votë të reformave të propozuara për imigracionin. Të dyja palët besojnë se situata me fëmijët, shumë prej të cilëve vajza nën 13 vjeç që udhëtojnë të pashoqëruara, të lodhura dhe të uritura drejt kufirit, përfaqëson një krizë humanitare. Pritet që Kongresi të akordojë më shumë fonde për kontrollin e kufirit.

Për momentin, fëmijët e pashoqëruar kalojnë nën autoritetin e Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore dhe u caktohet një datë për të dalë në gjyq, ku do të vendoset fati i tyre. Shumë fëmijë bashkohen me të afërm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, por disa prej tyre janë kthyer në vendet përkatëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button