Reforma territoriale-Deri më 22 korrik komisioni në pritje të propozimeve të drejtuesve vendore
Komisioni i posaçëm për reformën territoriale do të presë mendimet e drejtuesve vendorë rreth kësaj reforme deri më 22 korrik, ndërsa më 31 korrik pritet miratimi përfundimtar i saj në parlament.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i komisionit, Bashkim Fino një ditë më parë gjatë një mbledhje të komisionit, ku u caktuan relatorët që do të shqyrtojnë këto propozime.
Sipas Finos nga data 22 maj deri më 22 korrik, komisioni është në pritje të mendimeve që kanë kryetarët e komunave dhe bashkive.
“Deri para një jave kanë kthyer përgjigje rreth 170 njësi të qeverisjes vendore ku është shprehur kryetari i njësive vendore ose këshilli. Në mënyrë të detajuar kanë kthyer përgjigje 150 kryetarë bashkish dhe komunash, nga të cilët 88 kryetarë janë shprehur pro dhe 62 kundër. Kanë kthyer përgjigje 81 këshilla bashkiakë dhe komunash prej të cilëve 41 janë shprehur pro dhe 40 kundër”, tha Fino.
Antarë e komisionit u caktuan si relatorë për të paraqitur në mënyrë të shkurtuar propozimet që kanë ardhur nga njësitë vendore, të ndarë sipas 12 qarqeve. Kryetari Fino u shpreh se pas miratimit të ndarjes së re territoriale do të miratohet dhe reforma për decentralizimin.
“Sot qeveria shqiptare ka filluar nga puna për hartimin një ligji të ri. Është imediate, jo se e kërkon PD, por se në momentin që ne do të miratojmë hartën ere territoriale, absolutisht ne duhet të ndryshojmë ligjin Nr. 8652 sepse minimalisht dom të ndryshohen disa nene që kanë të bëjnë me numrin e këshilltarëve të bashkive, me kompetencat që do të kenë këto këshilla të reja etj.
Brenda vjeshtës së këtij sezoni të ri Kuvendi do të diskutojë çështjet e decentralizimit me të gjitha shoqatat dhe pastaj të jemi të gatshëm që dy ligjet e reja, si ndarja dhe decentralizimi të hyjnë në fuqi me zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor që janë në 2015”, tha z. Fino. I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte edhe përfaqësuesi i PDIU-së, Ardit Bido, i cili dorëzoi draftin me propozime për ndarjen administrative, i hartuar nga grupi i punës i kësaj force politike.