Reforma: Tryeza për hartën e re të Himarës përplas PBDNJ-në me banorët
Reforma: Tryeza për hartën e re të Himarës përplas PBDNJ-në me banorët
“Nuk u bënë grekë himarjotët se morën një pasaportë”
Takimi i organizuar nga PBDNJ-ja dhe Omonia në Himarë për ndarjen territoriale, sjell përplasje mes banorëve të këtij komuniteti. Tryeza e organizuar me pjesëmarrjen e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, me qëllim realizimin e një kundërshtimi për bashkimin e Himarës me Vranishtin, duket se nuk ka ecur sipas skenarit të paracaktuar, pasi disa prej të pranishmëve, banorë të kësaj zone, kanë kontestuar trajtimin e kësaj çështjeje si pjesë e minoritetit apo e Greqisë. Me një greqishte të rrjedhshme, kreu i Omonias, Vasil Bollano, dhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nisën takimin me grupet e interesit referuar ndarjes administrative territoriale në Himarë. Në fjalën e tij, Bollano theksoi: “Ne denoncojmë ndarjen territoriale nga segmente të caktuara, të cilat përfaqësojnë edhe interesa të caktuara, e denoncojmë në lidhje me mungesën e transparencës dhe shpeshherë duke manipuluar edhe mendime individuale që dalin nga takime sikurse ai me ministrin Çuçi. E kemi denoncuar për mosrespektimin e të drejtave etnike linguistike dhe fetare. Për mosrespektim të konventës kuadër, si dhe të paktit të stabilitetit në respekt të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve”. Ne kërkojmë, vijon Bollano, nga qeveria të qëndrojë drejt dhe të diskutojë rreth diskutimeve tona, pasi nuk do të pranojmë asnjë diskutim e vendim tjetër veç atij të propozuar nga subjekti ynë politik. Jemi pro ndarjes territoriale si proces, por jemi pro vetëm të bashkimit të Himarës me Lukovën. Kreu i Omonias paralajmëroi përshkallëzim të qëndrimeve kundërshtuese. “Ne do të përshkallëzojmë qëndrimet tona, edhe në drejtim të bashkëpunimit parlamentar, edhe në drejtim të masave që nuk janë objekt i Dules apo i Bollanos, por që janë objekt i strukturave të subjektit politik. Ne do të bisedojmë dhe do të marrim vendimet e caktuara në momente të caktuara”, deklaroi Bollano.
Përplasja
Ndërkohë që vetë banorët kanë qenë të përçarë në idetë e tyre, pavarësisht tentativës për ta kanalizuar çështjen se Himara është pjesë e minoritetit. Disa janë shprehur pro bashkimit të Himarës me Lukovën, disa e kërkojnë një njësi më vete, pra duke mos e lënë më Lukovën. Ndërsa bindja është që Vranishti nuk duhet të jetë me Himarën, duke e lidhur dhe me çështjen e besimit fetar. Në diskutimet në sallë shpeshherë anëtarë të komunitetit himarjot kanë kërkuar bashkimin vetëm me Lukovën, pasi, sipas tyre, edhe zhvillimi ekonomik u përshtatet, por ka pasur edhe opinione, të cilat kanë ardhur në gjuhën greke e që kanë pasur për bazë çështjen fetare. “Bashkimi i Himarës me Lukovën duhej të ishte bërë që më 1975-n me Himarën, për të gjitha gjërat që ne na bashkojnë ne kemi nevojë për shkollë në gjuhën greke. Ne jemi të krishterë ortodoksë, mund të bashkohemi vetëm me Lukovën”, tha një banor, i cili fliste në gjuhën greke. Por aty në mes të sallës, një banor ka kundërshtuar idenë se Himara është greke, për faktin se banorët e zonës janë të pajisur me një pasaportë greke. “Nuk u bënë grekë himarjotët vetëm se morën një pasaportë grekë, sepse grekët nuk u bënë shqiptarë se shkuam ne në Greqi. Himara ka gjuhë të vjetër e të bukur që nuk është greqishtja”, ka lënë të nënkuptohet diskutuesi.
Kryebashkiaku
Në këtë tryezë të iniciuar nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka munguar kryebashkiaku Jorgo Goro. I kontaktuar në telefon nga gazeta “Shqip”, Goro shprehet se takimi konsultues është realizuar para një muaji, ku prezent ishte ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi. “Ne i kemi mbyllur takimet, nuk mund të ndërmerren tryeza, pasi është marrë vendimi, është vendosur për hartën”, u shpreh Goro. Harta e propozuar nga qeveria është pranuar nga kryebashkiaku Goro, duke e cilësuar si të drejtë zgjerimin e territorit të Himarës.
Deklarata
“Duan ta përdorin Vranishtin si një trupë elektorale”
Dule: Himara është minoritet, thembra e Akilit për reformën
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, me tone të ashpra ka reaguar ndaj skemës së miratuar nga komisioni i posaçëm parlamentar që Bashkon Himarën me Vranishtin. Në takimin e djeshëm, Dule ka shprehur bindjen se Himara, ndryshe nga sa pretendohet, është pjesë e minoritetit dhe si e tillë duhet të trajtohet. “Për disa në Himarë nuk ka minoritet grek. Për mua dhe shumë të tjerë që u përmbahemi konventave ndërkombëtare, ku secili ka të drejtë të shprehë identitetin e vet, në Himarë ka minoritet grek historik”, deklaroi Dule. Madje, kreu i PBDNJ-së ka përmendur se edhe vetë Fan Noli në kohën ku Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve e ka pranuar këtë karakteristikë që ka Himara. “Më lejoni që t’u përgjigjem deklaratave të atyre që thonë se në Himarë nuk ka minoritet grek. Le të shikojnë deklaratën e Fan Nolit, si ambasador i Shqipërisë i Lidhjes së Kombeve, ku Shqipëria u anëtarësua, a u përmend Himara si një nga hapësirat ku jeton minoriteti grek. Le të shikojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të 1930-s, ku e lejojnë mbretin Zog që të hapë shkollën greke”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit. Ndërsa ndau bindjen se i gjithë ky bashkim bëhet për interesa elektorale. “Krijimi i njësisë së re, sipas një propozimi që Himarës dhe Lukovës t’i bashkëngjitet Vranishti, ka vetëm një qëllim, i cili është i mbrapshtë si në konceptimin e vet dhe me pasoja të rrezikshme në zbatimin e tij, nëse do të finalizohet, është thjesht dhe vetëm elektoral. Ka individë që kanë edhe funksione institucionale, të cilat synojnë kenë një qëllim të caktuar. Duan ta përdorin Vranishtin si një trupë elektorale, për të mbajtur peng autoritetin lokal në Himarë”, deklaroi Dule. Më tej, ai e cilësoi çështjen e kësaj njësie si thembra e Akilit, ku duhet të respektohen parimet themelore, si respektimi i të drejtave të minoriteteve etnike, që janë vlerë mbi vlera, themel mbi të cilin mbështetet koherenca shoqërore, harmonia, paqja dhe prosperiteti.
Mikel Marsi