Reformëza në vendin e revolucionit
Më shumë punë të dielave dhe rritje e konkurrencës për profesionet e mbrojtura. Franca voton këtë javë për një ligj të “zhvillimit dhe punësimit”. Me “Loi Macron” vendoset, nëse vendi mund të reformohet.
Një ndërmarrje e madhe, por që arrihet me hapa të vegjël. Kur deputetët e Asamblesë Kombëtare pas më shumë se 1 700 ndryshimesh dhe debatesh, që kanë zgjatur edhe natën, do të miratojnë këtë javë “Loi Macron”, jo vetëm ministrit të Ekonomisë Emmanuel Macron, ka për t’iu hequr një barrë nga supet. Edhe partnerët në Bashkimin Evropian kanë pritur prej kohësh një reformë të madhe të presidentit François Hollande. Emmanuel Macron mundi tani të provojë, se edhe strukturat e ngurta në Francë mund të ndryshojnë.
Ndryshe nga reforma radikale e asistencës për të papunët me ligjet Hartz në Gjermani “Loi Macron” nuk përmban ndryshime radikale, të cilat mund t’i ndjejë e gjithë shoqëria franceze. Nuk preken as java 35 orëshe, as mbrojtja nga pushimi nga puna dhe as paga minimale në Francë. Eshtë më tepër një paketë me më shumë se 200 ligje individuale, kryesisht në profesionet, që gëzojnë pjesërisht ende privilegje nga koha e revolucionit. Qofshin noterë, avokatë, apo farmacistë: anëtarët e profesioneve të mbrojtura duhet të durojnë në të ardhmen më shumë konkurrencë. Së bashku me hapjen e punës për të dielave këto masa duhet të japin një shtytje të re për zhvillimin e ekonomisë franceze. Sepse edhe në vitin e tretë të presidencës së François Hollande vendi vuan nga një papunësi rekord.
Shumë reforma të dështuara
Se me çfarë shumice do ta kalojë në parlament projektin ministri 37 vjeçar i Ekonomisë, kjo është një nga pyetjet më interesante të reformës, e cila kritikohet fort nga krahu i majtë i partisë Socialiste në pushtet. Me vendimin për një projekt liberalizimi presidenti François Hollande dhe kryeministri Manuel Valls i kanë hyrë një rreziku të lartë politik. Edhe pse plane të tilla për tregun francez të punës të ngurtësuar gjenden prej kohësh në sirtarët e ministrive, projektet për reforma të plota sociale dhe të tregut të punës kanë dështuar rregullisht në të kaluarën. Qoftë Jacques Chirac në vitet 1980, Alain Juppé në vitet 1990, apo Dominique de Villepin pas kapërcimit të mijëvjeçarit, asnjëri prej tre kryeministrave konservatorë nuk ka qenë në gjendje të fitojë mbi rezistencën e rrugës.
Madje edhe paraardhësi reformator i François Hollande i fshehu shpejt në sirtar propozimet e komisionit të reformave në tregun e punës. Që pikërisht shtatë vjet pas paraqitjes së këtij raporti presidentit Nicolas Sarkozy, disa sugjerime të ekspertëve do të marrin formë ligjore, nuk është rastësi. Ministri i sotëm i Ekonomisë punonte atëherë për shefin e Komisionit të Reformave. Zgjedhja e 37-vjeçarit ministër të Ekonomisë verën e kaluar ishte edhe një shenjë e qartë për reformat strukturore në vend. Dhe shanset janë të mira, që Macron t’ia arrijë qëllimit të tij.
Reformë sipas parimit të konsensit
Megjithëse ka shumë kritikë nga sindikatat dhe shoqatat e profesioneve të ndryshme, një lëvizje të masës në rrugë nuk ka pasur ende për shumë arsye. Nga njëra anë numri i madh i masave të veçuara i përçan kritikët në shumë fronte, nga ana tjetër qeveria nuk guxon të bëjë hapa radikalë dhe vë theksin te ekuilibri social. “Po të marrim për shembull punën e së dielës”, thotë Stefan Seidendorf nga Instituti gjermano-francez në Ludwigsburg: “nga njëra anë puna e së dielës mundësohet kudo, nga ana tjetër ajo mund të kryhet vetëm në bazë të marrëveshjeve të brendshme në ndërmarrje, ku dëgjohet edhe zëri i sindikatave.” Në rrjedhën e diskutimeve edhe deputetët kanë pasur një ndikim të madh në tekstet ligjore, madje është krijuar edhe një komision parlamentar për reformën.
Presioni për të vepruar mbetet i madh
Seidendorf e konsideron “Loi Macron” si “një hap të madh”, por jo revolucion. “Në shumë fusha në Francë ka ende nevojë për reforma”, konstaton studiuesi gjerman. “Pesha e administratës vazhdon të jetë e madhe, Franca ka një sistem të komplikuar tatimor, që mund të thjeshtohej, dhe në liberalizimin e tregut të punës mund të bëhet akoma më shumë.”
Eshtë e mundur që Hollande dhe Valls, që me reagimin e tyre të kujdesshëm në lidhje me sulmet terroriste kanë fituar miratimin e popullatës, të distancohen nga projektet e tjera për momentin. Pas votimit parlamentar mbi ligjin e punësimit puna për qeverinë vazhdon. Shumë nene të ligjit kërkojnë urdhëresa ekzekutive nga qeveria, të cilat nga ana tjetër mund të shkaktojnë mosmarrëveshje të reja politike. “Paketa”, thotë eksperti për Francën Seidendorf, “ka material të mjaftueshëm për të mbushur me ide dhe zbatime pjesën e mbetur të mandatit të Hollande.”