Bota

Refugjatët mbërrijnë në Gjermani, mbi 10 mijë persona në Bavari

Koalicioni qeverisës në Gjermani pranoi shpenzimin e 6 miliardë eurove për mbështetjen e numrit rekord të emigrantëve, shifër kjo që sipas “Frankfurter Allgemein Zeitung”, deri në fund të vitit mund të shkojë diku tek 9 apo 10 miliardë euro.

Përllogaritjet bazohen në vlerësimet e kostove nga qeveritë e landeve në mbarë vendin. Në seancën e posaçme të mbajtur nga Parlamenti gjerman në muajin korrik u parashikua një buxhet prej 5.6 miliardë euro për rreth 450,000 kërkesa për azil që mendohet se do të paraqiteshin këtë vit. Por në dritën e fluksit të fundit masiv të refugjatëve, Gjermania pret tani deri në fund të dhjetorit, të vërshojnë rreth 800.000 vetë.

18.000 kaluan kufirin vetëm gjatë kësaj fundjave. Numri i emigrantëve të mbërritur vetëm në Bavari të dielën fillimisht u llogarit në 5.000, por në fund, rezultoi dy herë më i lartë se kaq. Pjesa më e madhe, udhëtimin nga Hungaria e bënë me trena apo autobuzë, ndërsa pati dhe nga ata që rrugën deri në Austri, e përshkuan në këmbë.

Mynihu priti një ditë më parë me mijëra vetë. Një pjesë iu dhanë shtretër për të kaluar natën në ato që njihen si qendra fillestare të pritjes. Të tjerë e vazhduan rrugëtimin që çoi 570 prej tyre në Saafeld të Turingisë dhe mbi 350 vetë në kryeqendrën e Saksonisë, Dresden.

Me dhjetëra azilkërkues u dërguan në Berlin, Hamburg, Frankfurt dhe Dortmund. Pritja emocionuese e bërë emigrantëve në Mynih pati jehonë në mbarë vendin. Zbritja nga treni u shoqërua me duartrokitje e brohorima, e vendasit e mbledhur në platforma u dhuronin ushqime, pije të ngrohta e lodra për fëmijët.

Mbi 17.000 vetët e llogaritur të hynin në Gjermani gjatë fundjavës u bllokuan në stacionin kryesor të trenave në Budapest, pas këmbënguljes së autoriteteve hungareze për t’i regjistruar.

Në një lëvizje surprizë megjithatë, Gjermania dhe Austria vendosën të shtunën hapjen e kufijve të tyre, çka bie ndesh me politikat europiane sipas të cilave, kush kërkon azil, duhet të aplikojë në vendin e parë të BE-së ku ka vënë këmbë.

Vendimi i kancelares Angela Merkel për të lejuar fluksin e refugjatëve të hyjë në Gjermani shkaktoi një krisje në bllokun e saj konservator, pasi aleatët bavarezë e akuzuan se po i dergon “një sinjal të gabuar” pjesës tjetër të Europës. Ministri i Brendshem bavarez, Joachim Herrmann, anëtar i unionit kristian social CSU, e drejtoi gishtin nga shefja e ekzekutivit për të cilën tha se e kishte hedhur këtë hap pa u konsultuar më parë me qeveritë e landeve që do të përballen me pasojat e vendimit të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button