Regional Challenge Fund financon 10 projekte të reja në Shqipëri për zhvillimin e aftësive profesionale
Dhjetë projekte nga Shqipëria kanë përfituar grante me vlerë rreth 4,3 milionë euro për zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional. Letrat e angazhimit për investim iu dorëzuan përfaqësuesve të projekteve fituese gjatë një ceremonie të organizuar nga Regional Challenge Fund (RCF) në Tiranë.
Fondi, i mbështetur nga Gjermania dhe Zvicra, shpalli projektet fituese të raundit të katërt të aplikimeve, përmes të cilit financohen programe të arsimit dhe formimit profesional, të hartuara në bashkëpunim mes kompanive dhe institucioneve që ofrojnë këtë formim në Ballkanin Perëndimor.
Financimi prej rreth 4,3 milionë eurosh do të përdoret për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institucionet e formimit profesional. Projektet synojnë të trajnojnë mbi 1 700 të rinj në fusha të ndryshme, mes të cilave siguria kibernetike, mobiliteti elektrik, energjia diellore, turizmi i qëndrueshëm, moda dhe kuzhina e gjelbër.
Sipas të dhënave të publikuara nga RCF, raundi i katërt i aplikimeve tërhoqi 187 shprehje interesi nga i gjithë rajoni. Prej tyre, 86 konsorciume u përzgjodhën dhe u ftuan të paraqisnin aplikime të plota, ndërsa 18 konsorciume institucionesh të formimit profesional dhe kompanish ishin nga Shqipëria. Në përfundim, 10 projekte shqiptare u përzgjodhën për financim.
Koordinatori Rajonal i RCF-së, Renato Vasili, tha gjatë ceremonisë se pas katër thirrjeve për aplikime, në Shqipëri janë përzgjedhur gjithsej 31 projekte fituese, me një investim prej rreth 14,6 milionë eurosh.
“Pas katër thirrjesh, RCF në Shqipëri numëron 31 projekte fituese, me rreth 14,6 milionë euro investim. Pas këtyre shifrave qëndrojnë 170 kompani partnere dhe 61 programe të trajnimit bashkëpunues për mbi 5 100 të rinj. Institucionet dhe partnerët e tyre kanë shtuar 4,8 milionë euro nga burimet e veta. Kjo është besim”, u shpreh Vasili.
Ai theksoi se ndikimi i fondit shtrihet edhe jashtë Tiranës. Projektet zbatohen në nëntë qytete dhe në tetë nga 12 qarqet e vendit. Sipas tij, 46% e granteve, me një vlerë prej rreth 6,7 milionë eurosh, janë akorduar për 13 projekte jashtë kryeqytetit.
Vasili falënderoi Qeverinë Gjermane, përmes Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), si dhe Qeverinë Zvicerane, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), për mbështetjen e dhënë. Ai vlerësoi gjithashtu partneritetin me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Forumin e Dhomave të Tregtisë dhe Investimeve të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF).
Duke iu drejtuar konsorciumeve fituese, koordinatori rajonal i RCF-së u shpreh se fondi do t’i mbështesë gjatë gjithë procesit të zbatimit të projekteve, duke theksuar se qëllimi është që investimet të përkthehen në vende pune dhe mundësi të reja karriere për të rinjtë.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner, uroi konsorciumet fituese dhe theksoi rëndësinë strategjike të investimeve në arsimin dhe formimin profesional për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas tij, oferta e formimit profesional duhet të përshtatet më mirë me nevojat e kompanive, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve arsimore dhe sektorit privat është thelbësor për të ngushtuar hendekun mes përmbajtjes së trajnimeve dhe kërkesave reale të ekonomisë.
“Për Shqipërinë, investimi në arsimin dhe formimin profesional nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri strategjike për rritje të qëndrueshme dhe mirëqenie. Oferta e formimit profesional duhet të përputhet shumë më tepër me nevojat e kompanive”, deklaroi Bergner.
Ambasadori bëri gjithashtu të ditur se gjatë negociatave ndërqeveritare me Shqipërinë këtë vit, Qeveria Gjermane ka alokuar 12 milionë euro shtesë për dritaren e dedikuar të Regional Challenge Fund për Shqipërinë.
Ndërkohë, drejtoresha për Evropën dhe Kaukazin në KfW Development Bank, Veronica Garcia del Arco, vlerësoi rolin e fondit në krijimin e partneriteteve mes bizneseve dhe institucioneve të arsimit profesional.
Ajo theksoi se rëndësia e RCF-së nuk qëndron vetëm te numri i projekteve të financuara dhe fondet e akorduara, por edhe te marrëdhëniet institucionale që janë krijuar në rajon dhe ndryshimet afatgjata që këto partneritete sjellin në sistemin e formimit profesional.
Qeveria Zvicerane bashkëfinancon Regional Challenge Fund me rreth 10 milionë euro për projekte të trajnimit bashkëpunues në rajon, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, Philipp Arnold, theksoi se investimi në aftësitë profesionale është një faktor i rëndësishëm për konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik.
Ai solli si shembull modelin zviceran të arsimit profesional, ku sektori privat ka një rol qendror, duke nënvizuar se përfshirja e 170 kompanive në projektet e RCF-së dëshmon rëndësinë që bizneset i kushtojnë zhvillimit të aftësive profesionale.
Dhjetë konsorciumet fituese nga Shqipëria përfaqësojnë tetë shkolla profesionale, një universitet dhe një qendër trajnimi, në partneritet me 42 kompani. Nëpërmjet këtyre investimeve pritet të përfitojnë rreth 1 740 nxënës.
Ceremonia e ndarjes së granteve mblodhi përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe asaj Zvicerane, KfW Development Bank, SDC-së, OeAD-së, Regional Challenge Fund, ekspertë teknikë dhe përfaqësues të konsorciumeve fituese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.