Shoqatat kundërshtojnë rritjen e TVSH-së: Transporti publik nis me vonesë të enjten
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë dalë me një njoftim të përbashkët në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku pritet të votohen paketa fiskale dhe projektbuxheti.
Shoqatat shprehen kundër rritjes së propozuar të normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, duke paralajmëruar se ky ndryshim mund të sjellë shtrenjtimin e biletave për qytetarët që përdorin transportin publik.
Përmes një njoftimi, ato bëjnë të ditur se të enjten, më 26 nëntor, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë në orën 08:00, në vend të orarit të zakonshëm.
Sipas shoqatave, ky vendim synon të shmangë rritjen e çmimit të biletave dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Ato kërkojnë mirëkuptimin e pasagjerëve për këtë shqetësim dhe u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, me qëllim ruajtjen e çmimeve aktuale dhe vijimin e shërbimit të transportit publik.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Shoqatës së Transportit kanë njoftuar se të enjten, në orën 07:30, pranë Pallatit të Kulturës në qendër, do të mbajnë një konferencë për shtyp, ku do të japin më shumë detaje lidhur me vijimin e shërbimit të transportit publik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.