Rënia e numrit të pasardhësve tregon se njerëzit po evoluojnë
Ndryshe nga sa mendohej më parë se evoluimi i njeriut kishte ndaluar 40000 vite më parë, një studim i ri tregon se njerëzit po vazhdojnë të ndikohen nga mjedisi dhe po evoluojnë
Për shumë njerëz, me trurin e zhvilluar dhe teknologjinë e përparuar, është tunduese të mendosh se specia jonë ka arritur në kulmin e zhvillimit të saj evolucionar.
Por, sipas një studimi të ri, forcat natyrale të evolucionit vazhdojnë të formojnë njerëzimin pavarësisht pushtetit që kemi për të manipuluar botën përreth nesh.
Kërkuesit kanë ofruar prova gjenetike që na bën të mendojmë se përzgjedhja natyrore vazhdon të nxisë evolucionin njerëzor.
Kërkime të mëparshme kanë treguar se njerëzit pushuan së evoluuari rreth 40000 vite më parë.
Megjithatë, studimet më të fundit bien në kontradiktë me këtë, pasi tregojnë se tipare të tilla si rezistenca nga malaria dhe përshtatja në lartësi të mëdha te njerëzit ka ardhur si pjesë e evolucionit relativisht së fundmi.
Kërkimi i ri nga Universiteti i Harvardit analizoi lidhjet midis suksesit relativ të riprodhimit gjatë jetës, një matje evolucionare që lidhet me numrat e pasardhësve që një individ bën gjatë jetës dhe variantet gjenetike të lidhura më parë me karakteristikat e studiuara nga gjenetika.
Studimi u përqendrua tek amerikanët me prejardhje europiane, të cilët kishin lindur nga viti 1931 deri në vitin 1953.
Këta persona gjithashtu ishin të gjithë të përfshirë në “Studimin shëndeti dhe pensioni”, që gjurmon shëndetin e rreth 20000 amerikanëve mbi moshën 50-vjeçare.
Rezultatet treguan se kishte një lidhje negative midis numrit të pasardhësve dhe nivelit të arsimit të arritur – ndaj sa më shumë të arsimohen njerëzit, aq më pak pasardhës lënë ata.
Nga një perspektivë evolucionare, kjo tregon se natyra po përzgjedh përkundrejt vazhdimit të arsimit në këtë grup.
Megjithatë, në studimin e publikuar në PNAS, autori paralajmëron se normat e përzgjedhjes janë ende të vogla krahasuar me ndryshimet e shpejta që janë nxitur nga faktorët kulturorë dhe mjedisorë në brezat e fundit.
Për më tepër, kërkuesit gjetën prova të pakta që sugjerojnë se përzgjedhja mund të ketë favorizuar një moshë më të madhe të ciklit të parë menstrual në grupin e grave.
Në kërkimin e tij, doktor Jonathan Beauchamp, që drejtoi studimin shkroi: “Megjithëse nuk mund të projektohen mbi më shumë se një brez, rezultatet e mia ofrojnë prova shtesë se njerëzit ende po evoluojnë, megjithëse ngadalë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur krahasohet me ndryshimet e shpejta që kanë ndodhur në brezat e fundit për shkak të faktorëve kulturorë dhe mjedisorë”.
Aktiviteti njerëzor po shkakton evoluimin e specieve të reja
Njerëzit po shkaktojnë evolucion të shpejtë dhe po bëjnë që të shfaqen specie të reja të bimëve dhe kafshëve, sipas një studimi të ri.
Studimi, i kryesuar nga Universiteti i Kopenhagës, theksoi shumë shembuj të procesit të nxitur nga njeriu, ku aktivitetet njerëzore shkaktuan zhvillimin e specieve të reja.
Një shembull i tillë është “Mushkonja londineze e metrosë”.
Ndërsa mushkonja e zakonshme e shtëpisë është përshtatur me mjedisin e sistemit të metrosë në Londër, kjo ka krijuar një popullatë të nëntokës.
Mushkonja e metrosë së Londrës nuk mund të riprodhohet me speciet e tjera mbi tokë, për shkak të ndryshimeve të ndodhura dhe kjo ka çuar në konsiderimin e saj si një specie e re.
Proceset mund të ndodhin aksidentalisht, përmes shfaqjes së ekosistemeve të reja si mjediset urbane apo përmes zbutjes së kafshëve dhe kultivimit të bimëve.
Përzgjedhja jonatyrore e shkaktuar nga gjuetia mund të çojë në shfaqjen e tipareve të tjera te kafshët, që me kalimin e kohës sjell specie të reja.
Rivendosja me dashje ose aksidentale e specieve mund të çojë në hibridizim të specieve të tjera. Kjo ka bërë që më shumë specie të reja bimore të shfaqen në Europë, nga sa janë dokumentuar për t’u zhdukur.