Renzi në dilemë
Ajo për të cilën kishte dyshime prej kohësh, tani është e sigurt. Italia do të hyjë në recesion, thonë të mirëinformuarit. Kjo e vë në pozitë të vështirë kryeministrin e ri Matteo Renzi.
Nëse dikush mund t’i shkundë struktura e ndryshkura të Italisë, atëherë ai. Kështu mendonin shumë vetë kur politikani i ri dhe karizmatik Matteo Renzi mori para shtatë muajsh pushtetin në Romë. Lista e punëve që duhej të bënte ishte vërtet e gjatë.
“Apartejd” në tregun e punës
Për shembull tregu i punës: kush ka një punë me kontratë të pakufizuar në Itali, mund ta konsiderojë veten të lumtur. Pasi thuajse në asnjë vend tjetër nuk është më e fortë mbrojtja nga pushimi nga puna. Nëse megjithatë dikush me një konktratë të tillë pushohet nga puna atëherë mund t’i drejtohet gjyqit. Si rregull e fiton çështjen dhe ose duhet të rikthehet në vendin e punës ose merr një zhdëmtin princëror.
Por gëzimi i njërit është vuajta e dikujt tjetër. Para së gjithash të rinjtë vuajnë nën këtë sistem. Pengesa të mëdha në pushimin nga puna i pengojnë sipërmarrësit të krijojnë vende të reja pune. Kështu thuajse një në dy të rinj italianë nën 24 vjeç nuk gjen punë.
Këtë “apartejd” në tregun e punës Matteo Renzi kërkon ta thyejë. Në një program “1000 ditësh” ai njoftoi se do të vendoste një të drejtë të njësuar për të sapopunësuarit. Vërtet ata do të marrin si më parë një kontratë të pakufizuar, por në tri vitet e para marrëdhënia e punës mund të ndërpritet pa dhënie arsyesh.
Deri tani pak rezultate
Nëse kryeministri 39 vjeçar do t’ia dalë mbanë me këtë, nuk dihet. E sigurt është për Marco Wagner, analist pranë Commerzbank, se Renzi që me marrjen e detyrës në shkurt ka dhënë pak rezultate: “Ai ka premtuar vërtet shumë. Ka thënë se do të shfuqizojë dhe shpërbëjë gjithë establishmentin.”
Një reformë në muaj donte të realizonte ai. Por reformat e mëdha që duhej ta kthenin me kokë poshtë sistemin e vjetër në Itali, rezultuan ose si masa kozmetike ose si truke publiciteti, si p.sh. taksa për sipërmarrjet, e cila duhej të ulej me 10 për qind: “Kjo tingëllon si shumë. Por nëse e sheh me kujdes kemi të bëjmë me 10 për qind të taksës rajonale që është 4 për qind. Si përfundim vetëm 0,4 për qind nga e gjithë pesha fiskale”, thotë Wagner për Deutsche Welle.
Edhe lehtësimi fiskal për ata që fitojnë pak për të është jo shumë i logjikshëm: “Kjo ishte një karamele e vogël për elektoratin. Në fund rezultati do të jetë që shteti do të ketë një hapësirë dhe më të vogël veprimi në politikën fiskale.”
Asnjë rrugëdalje nga rrethi vicioz
Jo më larg se vitin e kaluar Italia u çlirua nga procesi i deficitit të Komisionit të BE-së. Tani vendi duhet të ketë përsëri kujdes që deficiti buxhetor të mos kalojë kufirin prej 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PPB). Ndërkohë që Roma mund ta mbajë nën kontroll këtë deficit, borxhet e përgjithshme të shtetit kanë dalë krejt jashtë kontrollit. Kështu borxhet shtetërore përbëjnë 133 për qind të performancës ekonomike. Një kuotë më të lartë borxhi ka vetëm Greqia. Ngjashëm si Japonia, shteti italian ka hyrë në borxh në radhë të parë tek qytetarët e tij.
“Nëse tani kërkohet të reduktohen borxhet, atëherë ose duhet të rriten taksat ose të ulen shpenzimet shtetërore”, thotë Henning Vöpel, drejtor i Institutit për Ekonomi Botërore në Hamburg (HWWI). Ose realizohet një rritje e madhe ekonomike. Por këtë vit nuk do të realizohet as rritja minimale ekonomike e parashikuar nga Roma. Hyrja në recesion është thuajse e sigurt. Në këtë situatë çdo rritje taksash apo shkurtim i shpenzimeve shtetërore do të ishte kundërproduktive, mendon Vöpel: “Po dallohet një lloj rrethi vicioz.” Sipas tij shteti nuk duhet të shpenzojë më pak por ndryshe. “Duhet të investohet në aftësinë konkurruese, në produktivitetin e ekonomisë italiane”, thotë Vöpel për Deutsche Welle.
Italia po bie gjithnjë e më poshtë
Gjatë viteve të kaluara vendi në jug të Evropës ka humbur vazhdimisht aftësi konkurruese. Në një renditje të Forumit Ndërkombëtar të Ekonomisë, Itala radhitej në vend të 49, shumë mbrapa Spanjës dhe Portugalisë. Kjo nuk habit pasi kostot e punës për njësi në Itali në dhjetë vitet e fundit janë rritur shumë më fort se sa në vendet e tjera të mëdha të eurozonës. Kjo nga njëra anë ka të bëjë me një ligj të vjetër sipas të cilit pagat duhet të rriten me inflacionin. “Juridikisht ligji u shfuqizua në vitin 1993 por në fakt pagat vazhdojnë të rriten një më një me çmimet e konsumit. Problemi këtu është se produktiviteti në thelb është vendnumëro”, thotë analisti i Commerzbank Marco Wagner. Kjo ka bërë që Italia të zinte qysh para shpërthimit të krizës vendin e fundit në eurozonë në zhvillimin e koniunkturës.
Burokracia e mbifryrë është problemi tjetër i vendit në Mesdhe. Një sipërmarrësi atje i duhet ë presë 260 ditë derisa t’i akordohet leja për ndërtimin e një salle të re fabrike. Në SHBA leja merret dhjetë herë më shpejt.
Veç kësaj Italia njihet për sistemin e saj të paqendrueshëm politik. Koha në post e 18 kryeministrave të pasluftës ka qenë më pak se 1000 ditë. Pra për të vënë në jetë një program 1000-ditësh Matteo Renzi duhet t’ia dalë një herë mbanë që qendrojë aq gjatë në post.