Rezidenca e tij u godit nga raketat/ Ambasadori shqiptar në Kiev: Sulmi rus më i fuqishmi që kemi përjetuar, Ukraina po forcon kapacitetet ushtarake
Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Ernal Filo, ka deklaruar se sulmi i fundit rus ndaj Kievit, që goditi dhe zonën rezidenciale ku banon ai ishte “më i fuqishmi dhe më shkatërruesi” që ai dhe stafi diplomatik shqiptar kanë përjetuar që prej hapjes së ambasadës shqiptare në Ukrainë vitin e kaluar.
Në një intervistë për RTSH24, Filo tha se sulmi zgjati nga ora 22:00 deri në 06:30 të mëngjesit dhe përfshiu përdorimin masiv të dronëve dhe raketave të avancuara ruse si Iskander, Zirkon dhe Oreshnik.
“Ka qenë sulmi më i gjatë në kohë, më masivi dhe ai që ka shkaktuar dëmet më të mëdha në infrastrukturën e Kievit,” u shpreh ambasadori shqiptar.
Sipas tij, nga sulmi humbën jetën dy persona dhe rreth 28 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa edhe kompleksi rezidencial ku banon diplomati shqiptar u godit nga shpërthimet.
Filo tregoi se autoritetet ukrainase dhe partnerët ndërkombëtarë kishin paralajmëruar disa orë më herët për mundësinë e një sulmi hakmarrës nga Rusia, çka bëri që stafi diplomatik të strehohej në vendstrehime.
“Të gjithë qytetarët në Ukrainë kanë aplikacione paralajmëruese në telefonat e tyre. Edhe ne kishim marrë informacion paraprak se do të kishte një sulm të tillë,” tha ai.
Ambasadori shqiptar akuzoi drejtpërdrejt Rusinë për goditje ndaj objektivave civile dhe vrasje të qytetarëve të pafajshëm.
“Federata Ruse po kryen sulme mbi godina civile, duke vrarë njerëz të pafajshëm dhe fëmijë. Kjo është e papranueshme dhe duhet të marrë fund,” deklaroi Filo.
Ai theksoi se Ukraina ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake dhe teknologjike gjatë viteve të fundit, veçanërisht në prodhimin e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi.
“Ukraina është sofistikuar shumë nga ana e teknologjisë dhe mbrojtjes. Ka krijuar kapacitete të fuqishme dhe është bërë shembull edhe për vendet evropiane dhe NATO-n,” u shpreh ambasadori.
Sipas tij, kjo forcim i Ukrainës mund të ketë acaruar më tej Moskën dhe të ketë ndikuar në intensifikimin e sulmeve ruse.
Në lidhje me negociatat për paqe, Fino tha se Ukraina dhe presidenti Volodymyr Zelenskyy kanë bërë vazhdimisht thirrje për armëpushim dhe dialog, ndërsa akuzoi Rusinë se nuk po tregon vullnet real për bisedime.
“Pala ukrainase është viktima, ndërsa Federata Ruse është agresori. I takon Rusisë të japë sinjalet e para për t’u ulur në tryezën e negociatave,” deklaroi ai.
Ambasadori shqiptar konfirmoi gjithashtu se Shqipëria vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe çdo përpjekje ndërkombëtare për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.