Kronika

Rikthehet operacioni kundër lojërave të fatit, rikontroll territorit për kazinotë e bastet

Nga: Aurora Koromani*

 kazinoRikthehet operacioni për lojërat e fatit dhe pikat e basteve në kryeqytet. Prej disa ditësh, në kryeqytet, forcat policore janë angazhuar në një operacion, në fokus të të cilit është rikontrolli i territorit për të gjitha bizneset e lojërave të fatit dhe pikat e basteve, për verifikimin e dokumentacionit përkatës. Burime policore sqarojnë se pjesë e kontrollit do të jenë të gjitha kazinotë dhe pikat e basteve që janë hapur të reja, por edhe të gjitha subjektet e mëparshme ekzistuese.

Operacioni

Policia e kryeqytetit ka hartuar një plan masash, në sajë të të cilit do të bëhet edhe një herë rikontrolli i gjithë territorit të kryeqytetit për aktivitetin e lojërave të fatit dhe euro-lotove. Kur ka kaluar më shumë se një vit nga operacioni i policisë i koduar “Fundi i Marrëzisë”, një tjetër urdhër i ministrit të Brendshëm ka mbërritur në të gjitha komisariatet e Policisë së Tiranës, ku urdhërohet edhe një herë rikontrolli i të gjitha pikave të basteve dhe kazinove në kryeqytet. Nga burime policore sqarohet se në këtë operacion janë përfshirë rreth 150 forca policore, të cilat që nga dita e diel kanë nisur kontrollin në çdo zonë për aktivitetin e lojërave të fatit. Mësohet nga këto burime se aksioni ka si qëllim kontrollin e dokumentacionit përkatës për të gjitha subjektet e reja që janë hapur në këtë fushë, si edhe rikontroll të atyre subjekteve të cilat kanë ekzistuar, por kanë pasur probleme me dokumentacionin. Veç kësaj, burimet pranë uniformave blu shtojnë se të gjitha subjektet që nuk janë në rregull me ligjin, do të penalizohen. Penalizimi do të përfshijë të gjitha kazinotë që janë hapur të reja jashtë parametrave ligjorë, si dhe ato kazino apo pika bastesh që edhe pse kanë qenë ekzistuese në treg, sërish janë pa licencë. Aksioni për momentin vijon vetëm në kryeqytet, por zërat brenda policisë thonë se ky aksion do të jetë edhe më i gjerë, në të gjithë vendin, për të gjitha subjektet e lojërave të fatit. Në tetor të vitit të kaluar, policia nisi një aksion të gjerë në gjithë vendin, në të cilin u përfshinë rreth 6 mijë efektivë policie. Gjatë operacionit të koduar “Fundi i Marrëzisë”, u mbyllën më shumë se 1 mijë biznese lojërash fati, ndërkohë që te shumë të tjera u sekuestruan shumë kompjutera, makineri të lojërave të fatit dhe shumë televizorë. Pas këtij operacioni, shumë prej këtyre subjekteve u rihapën sërish dhe u duk sikur operacioni i policisë u la në harresë, por ka mjaftuar një urdhër i dytë nga kupola drejtuese e strukturave të Rendit që policia të rinisë edhe një herë kontrollin e territorit për subjektet e palicencuara në fushën e lojërave të fatit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button