Rimbursimi i TVSH-së në 2014 llogaritet 8.656 milionë lekë
Rimbursimi i TVSH-së, si një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet me tatimpaguesit dhe si një detyrim ligjor, po ecën me hapa pozitivë, vlerësojnë zyrtarët e ministrisë së Financave.
Sipas treguesve fiskal paraprak të ministrisë së Financave, gjatë vitit 2014 u rimbursuan ndaj subjekteve rreth 8.656 milionë lekë tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH), që lidhet me vëllimin e rritur të eksporteve, por njëkohësisht dhe me vëllimin e investimeve në proces gjatë vitit. Nga data 1 janar hynë në fuqi ndryshimet në ligjin për TVSH-në. Në ligj është vendosur që TVSH-ja do të rimbursohet vetëm mbi bazën e analizës së riskut. Pra, nuk do të kontrollohet një për një çdo praktikë dhe më pas të rimbursohet TVSH-ja, por ajo do të rimbursohet mbi bazën e riskut. Kjo është një nga mjetet që e shkurton mjaft kohën dhe procedurën për marrjen e TVSH-së. Ligji parashikon uljen e kohës së trajtimit dhe dhënies së rimbursimit të TVSH-së nga administratat tatimore 60 ditë për subjektet e zakonshme dhe 30 ditë për eksportuesit. Rimbursimi i TVSH-së ka krijuar majft problem për sipërmarrjen. Një pjesë e konsiderueshme e borxhit që qeveria i ka biznesit është TVSH e parimbursuar prej kohësh.