Europa

Ringjallja e një kufome politike

Presidenti i Komisionit Evropian Juncker, ka propozuar ngritjen e një ushtrie të përbashkët të BE-së. Me këtë ai me sa duket kërkon të impresionojë Moskën. Po kjo me siguri nuk do të arrihet, mendon Felix Steiner.

A ka Jean-Claude Juncker-i ndonjë libër historie të Evropës në zyrën e tij? Po ta ketë, do të bënte mirë të hapte atje kapitullin e Komunitetit të Mbrojtjes Evropiane. Është historia e një dështimi të trishtueshëm para më shumë se 60 vjetësh. Plani lindi – paralele interesante me sot – përballë një krize: në korrik 1950 Koreja e Veriut pati sulmuar me ndihmë kineze Korenë e Jugut, për ta bashkuar vendin nën sistemin komunist. Në Evropë ekzistonte frika se mund të ndodhnin gjëra të ngjashme dhe kështu lindi koncepti revolucionar, që forcat e armatosura të Francës, Italisë, Gjermanisë Perëndimore dhe të shteteve të Beneluksit të nxirreshin nga komanda e shteteve nacionale dhe të bashkoheshin nën një kryekomandë të përbashkët mbinacionale. Sipas parimit: vetëm së bashku jemi të fortë dhe i vetmuari nuk bëhet shumë i fortë – para së gjithash Gjermania, ndaj së cilës ekzistonte mosbesim i madh vetëm dhjetë vjet pas kohës së Hitlerit.

Heqja dorë nga sovraniteti është e vështirë për të mëdhenjtë

Megjithëse plani ishte në prag të realizimit vetëm katër vjet pas prezantimit, ai megjithatë dështoi. Dështoi në Parlamentin e më të fuqishmit shtet anëtar të asaj kohe – në Asamblenë Kombëtare franceze. Pse? Sepse ja që “Grande Nation” nuk donte të hiqte dorë në fund nga kaq shumë sovranitet. Veç kësaj, frika akute e luftës e verës 1950, në gusht 1954 ishte qetësuar.

Felix Steiner
Felix Steiner

Na lejohet në këtë kuadër të bëjmë pyetjen banale: çfarë duhet të jetë më ndryshe në Parisin e vitit 2015 nga Parisi i vitit 1954? Si për shembull planifikon ta vazhdojë Franca angazhimin e saj të gjerë në Afrikë, po të jetë BE ai që do të vendosë për të gjitha detajet? Fare! A do ta lejojë BE këtë angazhim? Me siguri jo! Propozimi i Junckerit dështon që në premisë, aty ku dështoi njëherë.

Kush do të vendosë për angazhimin e ushtarëve gjermanë?

Po nuk është vetëm Franca. Bundestagu Gjerman ka kompetencat më të gjera të miratimit nga të gjitha parlamentet në BE, përsa i përket angazhimit të Bundeswehrit. A e beson dikush seriozisht, që deputetët gjermanë do ta kalonin këtë të drejtë në një institucion të BE, pavarësisht nëse ai do të ishte Parlamenti apo Komisioni Evropian? Jo, propozimi i Junckerit nuk ka shans, edhe sepse argumentimi i tij është thjesht i gabuar. Politika e Evropës nuk të ngjall besim dhe me një ushtri të përbashkët do të mund t’i tregohej Rusisë se Evropa e ka seriozisht mbrojtjen e vlerave të BE, pohon Junckeri. Po çfarë do të ndryshonte me një ushtri të përbashkët? Një ushtri e përbashkët, angazhimi i së cilës përjashtohet kategorikisht që në fillim të një krize, nuk të frikëson më shumë se 28 ushtri nacionale, angazhimi i të cilave përjashtohet gjithashtu që në krye. Politika e Evropës nuk është e besueshme, para së gjithash, sepse politikanët e Evropës flasin shpesh me zëra të ndryshme dhe nuk shfaqen të bashkuar. Kur shumica p.sh. do ta izolojë Vladimir Putinin, por kur persona të veçantë e presin atë ose i bëjnë atij vizita!

Edhe problemi i potencës ushtarake të Evropës nuk ka të bëjë me organizimin kombëtar të ushtrive. Kur shtetet e BE sot ende nuk janë në gjendje të mbrojnë veten dhe janë të varura nga SHBA edhe më fort se në kohën e luftës së ftohtë, atëherë kjo thjesht ka të bëjë me faktin se askush nuk dëshiron të investojë paratë për këtë. Pikërisht këtu qendron edhe ajo që i tradhëton duartrokitjet, të cilat Junckeri i mori nga socialdemokratët e Gjermanisë: një ushtri e përbashkët krijon sinergji dhe mund të kursejë në këtë mënyrë shumë para. Sepse në këtë mënyrë mund të investosh edhe më pak para në siguri.

Shtetet e vogla kanë avancuar më shumë

BE mund të mësojë shumë nga shtetet e tij të vogla anëtare: shumica e tyre i ka specializuar trupat për lloje të caktuara armësh. Vetëm shtetet e mëdha, si Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja, Polonia dhe Italia vazhdojnë t’i mbajnë dyqanet e tyre me mallra të përzier, të cilat janë në gjendje të bëjnë nga të gjitha nga pak, por asgjë më si duhet. Organet përkatëse për ta avancuar edhe më tej një specializim të mëtejshëm të trupave në nivel të BE dhe të NATO-s ka kohë që ekzistojnë. Vetëm rezultatet e punës janë modeste deri tani. Tekat prej fuqie të madhe të fuqive atomike dhe të OKB-së pengojnë çdo përparim.

Një vërejtje e vogël e fundit për Jean-Claude Junckerin: që prej dhjetë vjetësh ekzistojnë Battlegroups të BE – një trupë e shpejtë ndërhyrjeje në Evropë dhe në zonat e krizës në Lindjen e Afërt dhe në Afrikë. Përgjegjësia kalon nga një komb tek tjetri, disa njësi madje janë të organizuara në mënyrë shembullore multinacionale. Vetëm: për t’u angazhuar nuk janë angazhuar kurrë Battlegroups në këto dhjetë vjet – gjithçka është çështje e vullnetit të përbashkët politik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button