Rinis aksioni: Për pak kuponë më shumë
Flet Niko Lera, shef i Kabinetit në Ministrinë e Financave: Masa shtrënguese për ata që nuk paguajnë taksat…
Edhe pse shpesh është parë në krah të biznesit dhe në disa raste tërheqje dhe mësymje ndaj tij, qeveria nuk e ka të qartë një model sjelljeje që të arrijë të qartësojë raportin që ka me sipërmarrësit. Në momentin që njofton një fushatë të gjerë për mbledhjen e të ardhurave në zonat turistike, financat njoftojnë po ashtu edhe një amnisti në vlerën e 400 milionë dollarëve. Burime për revistën “Monitor” shprehen se të dhënat operative që po shkojnë në degët rajonale të tatimeve tregojnë se ka shumë biznese të regjistruara në këto vende, kasat e të cilave nuk transmetojnë të dhëna. Kjo ka frikësuar qeverinë se mund të përballet sërish me rënien e të ardhurave në buxhet, çka do të pengonte planin e saj në realizimin e buxhetit dhe po ashtu do të ishte një punë e hedhur poshtë e aksionit që nisi në gusht. “Pavarësisht të dhënave të aksionit, kasat u instaluan në shumë biznese”, shprehen burimet për “Monitor”. Orientimi i konsumit në këto zona mund të godasë të ardhurat që vijnë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që vjelin tatimet.
Por si ka qenë ecuria e mbledhjes së kuponit tatimor? Nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se për periudhën janar-qershor 2016, numri i kuponëve ishte 102.259.342, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti kjo shifër u dyfishua në 231.610.931. Dyfishimi ndodhi edhe pas luftës që hapi qeveria kundër informalitetit, i cili shtoi ndjeshëm blerjen e kasave dhe zgjerimin e dyqaneve apo zyrave që duhet të përdornin kasë.
Masa shtrënguese për ata që nuk paguajnë taksat
Flet Niko Lera, shef i Kabinetit në Ministrinë e Financave
Në një intervistë për revistën “Monitor”, Niko Lera, shef i Kabinetit në Ministrinë e Financave thotë se qëllimi nuk është të penalizohet biznesi, por të mësohet të deklarojë dhe paguajë rregullisht. Ai sqaron se nuk do të jetë parësor ndëshkimi, por masa shtrënguese do të ketë për ata që nuk paguajnë taksat.
Pse ka filluar pikërisht tani aksioni, ka rritje të informalitetit?
Kontrolli i tatimpaguesit, lufta kundër informalitetit janë procese permanente, nuk janë procese me faza. Por ne vazhdimisht duam t’i japim impuls të ri kësaj lufte. Ajo ka filluar në shtator 2015 dhe do të jetë në vazhdimësi. Nëse nuk luftojmë evazionin, nëse nuk luftojmë informalitetin atëherë nuk mund të stabilizojmë dot buxhetin në terma afatgjatë. Pse prezantuam këtë fazë të re? Sepse ne tani po kalojmë nga metoda tradicionale nga kontrolli i territorit, i kontaktit fizik të punonjësit të administratës tatimore me tatimpaguesin, në metoda të reja pune. Ne po përdorim analizën e riskut, po seleksionojmë ata tatimpagues të cilët vërtet kanë probleme të mëdha me pajtueshmërinë me ligjin. Pra, nëse në fazën e parë, që ishte një situatë shumë problematike, sepse askush nuk përdorte kasën regjistruese, tani jemi në një fazë tjetër. Ne kemi dështuar nga viti 1994 deri pak më parë, pra ne kemi dështuar për një periudhë 20-vjeçare në lidhje me vendosjen e kasës regjistruese. Ne vendosëm një herë kasat që fillimisht të kontaktohej çdo tatimpagues, të edukohej çdo tatimpagues me detyrimin ligjor që ka për përdorimin e kasës regjistruese, me detyrimin që ka për deklarimin e të ardhurave dhe pagesën e detyrimit përkatës.
Në fakt, ndryshon modeli dhe qasja me biznesin. Ju thatë që tashmë ky aksion do të jetë komunikim, ndërgjegjësim dhe këshillim, a nuk duhet të ndodhte që në fillim kështu? Të zbatohej ky model?
Kështu është bërë që në fazën e parë dhe kështu po bëhet dhe në fazën e dytë. Strategjia jonë nuk është goditja e biznesit. Natyrisht do të ketë edhe goditje aty ku tatimpaguesi nuk reagon pasi paralajmërohet një herë, dy herë, pasi i bëhet i qartë ligji, pasi i thuhet se cilat janë detyrimet që duhet të zbatojë, natyrisht që legjislacioni parashikon edhe masa shtrënguese dhe këto masa do të merren për shkelësit e ligjit. Por primare në punën e administratës sonë është zbatimi vullnetar i ligjit. Ne duam të zbatojmë në mënyrë vullnetare ligjin, ne duam që çdo tatimpagues të kuptojë se zbatimi i ligjit largon taksidarin, punonjësin e administratës tatimore nga dera e tij, nga dyqani i tij, nga njësia e tij.
A do të ketë lajmërim për biznesin apo kontrolli do të jetë i befasishëm?
Thashë që kontrollet do të menaxhohen tërësisht në analizën e riskut. Ne tani kemi një bazë të dhënash të plotë. Ne tani mund të dimë se kush transmeton të dhëna të kasës regjistruese, kush regjistron xhiron dhe kush nuk regjistron, sa regjistron sot dhe sa regjistron nesër, në fundjavë, në fillim të javës etj. Këto të dhëna përpunohen dhe mbi bazën e tyre, ne nxjerrim subjektet më tipike. Këto subjekte tipike lajmërohen, telefonohen, këshillohen të reagojnë. Në pjesën dërrmuese të rasteve reagojnë, shohim rritje të xhiros, në rastet kur nuk reagojnë, atëherë është e domosdoshme një vizitë fiskale për të parë problemin, për të evidentuar çështjet që ekzistojnë dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë në vijim. Primare do të jetë edukimi dhe kërkesa për zbatimin e ligjit.
Ka një plan gjeografik se ku do të kontrollojë nga data 1 gusht Ministria e Financave, sepse u tha që do të ketë një shtrirje sidomos në zonat turistike… Çfarë është duke ndodhur aty, keni sinjale që bizneset janë duke shmangur pagesën e taksave?
Ne deklaruam që do të përqendrohemi te sektori i turizmit. Të gjithë e dimë që ky sektor ka një qarkullim shumë të madh në muajt e verës, prandaj edhe vetë analiza e riskut të orienton në këta sektorë. Duam që edhe bizneset sezonale, edhe bizneset që operojnë në zonat turistike të jenë në rregull me ligjin, të zbatojnë ligjin dhe të deklarojnë detyrimet që kanë.
Vetëm në verë do të shtrihet ky aksion?
Ne në gusht do të kontrollojmë në sektorin e turizmit se këtu është piku dhe këtu është risku. Në periudhat e tjera ne do të fokusohemi në sektorë të tjerë që janë me risk sipas muajve që ata kanë më shumë aktivitet. Vlerësimi i riskut, seleksionimi i subjekteve që do të kontrollohen bazuar në metodën e riskut do të jetë mënyra e vetme e punës. Nuk do të ketë më për tatimorët të shkojnë ku kanë dëshirë apo ku u pëlqen atyre, do të shkosh atje ku indikatorët tregojnë se ka rrezik.
A ka lidhje ky aksion me rënien e të ardhurave nga TVSH-ja, treguesit fiskalë të 6-mujorit që kishin një rënie të lehtë të kësaj takse krahasuar me planin?
Treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave tregojnë se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në përgjithësi dhe po ashtu edhe TVSH-ja e brendshme janë realizuar në parametrat e planifikuar për periudhën 6-mujore. Për gjysmën e parë të këtij viti, të ardhurat tatimore janë rritur me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kemi një vit të mbarë, me shpresë të plotë se do të jetë i tillë deri në fund të 12-mujorit dhe me vlerësimet e sakta që kemi bërë besoj se do të jetë i tillë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar bruto por dhe neto, që është TVSH-ja e brendshme janë me rritje edhe krahasuar me një vit më parë. Me rritje janë edhe rimbursimet, janë rimbursuar në masë të plotë pothuajse të gjithë tatimpaguesit. Aksioni i gushtit nuk ka asnjë lidhje me realizim apo mosrealizim të planit buxhetor. Deri tani kemi pasur ecuri shumë të mira.
“Falja” e pasurive të patundshme
Qeveria Rama ka risjellë edhe një herë “amnistinë” që parashikon rivlerësimin e pasurive të patundshme. Projektligji, i cili tashmë është në Kuvend, do të kalojë me procedurë të përshpejtuar, për shkak të mbylljes së sezonit parlamentar gjatë periudhës së gushtit.
Më herët, në periudhën 2011 – 2013, qytetarëve iu dha disa herë mundësia për të rishikuar kontratat e blerjes së pasurive të patundshme me qëllim ‘disiplinimin’ e një tregu që vuante ndjeshëm nga shkalla e lartë e informalitetit. Për agjencitë e retail-it kjo ishte një kërkesë e përsëritur ndër vite.
Por, ku konsiston projektligji i qeverisë që tashmë ka mbërritur për diskutim në tavolinat e komisioneve kuvendore?
Qëllimi është ndërmarrja e një fushate rivlerësimi për pasuritë e paluajtshme duke dhënë si stimul pagimin e një tatimi mbi diferencën (pjesa e padeklaruar) me 2% për individët dhe 3% për bizneset, që futen për herë të parë në këtë skemë.
Kjo nënkupton se çdo individ që ka një pasuri të paluajtshme të blerë vite më parë dhe kërkon ta sjellë në vlerën e tregut mund ta bëjë, por koha me normën favorizuese do të jetë e kufizuar deri më 31 dhjetor 2016.
Të gjithë ata individë që do të duan të përfitojnë, do t’i nënshtrohen vullnetarisht procesit të rivlerësimit.
Sipas projektligjit, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për subjektet juridike bëhet edhe në kuadër të respektimit të trajtimit të njëjtë dhe duke mos cenuar rregullat e konkurrencës për vlerën e pasurive të paluajtshme në treg. Pra, ashtu sikurse vlera e një pasurie që i përket një individi do të rivlerësohet, edhe vlera e pasurisë që i përket një personi juridik, parimisht, duhet të jetë në të njëjtat kushte, duke respektuar kushtet e vlerës së tregut dhe të parimit të trajtimit të barabartë.
Ky projektligj pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2016, të cilat nuk janë saktësisht të matshme për vetë faktin se procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1% është bërë edhe në vitin 2011-2013, çka do të thotë që baza e tatueshme nuk është e njëjtë me atë që ka qenë në vitin 2011 deri në 2013.
Qeveria, bazuar edhe te të dhënat e dërguara nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2015 ka bërë një përllogaritje mbi të ardhurat e munguara:
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i individëve për transferimin e pasurive të paluajtshme, janë në masën rreth 2,1 miliardë lekë në vit, ose rreth 1,06 miliardë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i subjekteve tregtare për transferimin e pasurive të paluajtshme janë në masën 74,6 milionë lekë në vit, ose 37,3 milionë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.