Ristani: Bandat e drogës, imunitet nga Tahiri
Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani ka reaguar të premten lidhur me dëshmitë e reja të dhëna për mediat nga ish-shefi i anti-drogës së Fierit, Dritan Zagani.
“E gjithë puna e oficerit të anti-drogës jo vetëm është sabotuar, por kërkimet dhe të dhënat e mbledhura prej tij i janë dorëzuar vetë bandës, e cila më pas ka kërcënuar me jetë Zaganin”, ka deklaruar Ristani.
“Po nga vjen ky pushtet i trafikantëve, ky pushtet i krimit, që arrin të marrë vesh e të zotërojë gjithë punën e dokumentuar të oficerit? Kjo skemë mafioze, ky sundim i mafias, ka një emër. Saimir Tahiri”, ka thënë deputeti demokrat.
Sipas tij, dëshmia e oficerit është me fakte konkrete, me emra, me data dhe informacioni që ai ka nisur tek eprorët e tij flet për ngarkesa masive droge dhe për miliona euro.
“Por asnjëherë nuk nisi një hetim zyrtar për Habilajt apo Arben Dalipin, të gjurmuar, një punë e materializuar nga oficeri Zagani me prova konkrete. Nuk kishte si të niste një hetim, sepse Habilajt kanë kapur policinë, Habilajt kanë ministrin e Brendshëm. Si mund të hetojnë oficerët e policisë lidhjet kriminale të ministrit të tyre?”, ka vijuar Ristani, i cili akuzat i ka çuar edhe në drejtim të kryeministrit Rama.
“Po në të njëjtën kohë, Edi Rama, në një studio tjetër televizive po tregonte se sa krenar dhe i lumtur është ai me Saimir Tahirin. Kjo përfshirje kriminale e ministrit të Brendshëm në trafiqe dhe kjo krenari kriminale e Edi Ramës për të, është një thirrje për qytetarët për t’i dhënë fund pushtetit të mafias”, ka thënë Ristani.
Sipas tij, është pikërisht kjo mafie që bllokon hetimet, kërcënon me jetë oficerin e policisë dhe shantazhon median. “Ky është shteti i Edi Ramës. Një regjim kriminal që u merr shpirtin të pamundurve nga njëra anë, e që ndan influencat me bandat nga ana tjetër. Një regjim kriminal që duhet shembur një orë e më parë”, ka shtuar Ristani.