Rolling Stones i kërkojnë Trumpit të mos ia përdorë muzikën e tyre për fushatë
“Nuk do ta marrësh gjithmonë atë që do”, ishte mesazhi i Rolling Stones për Donald Trumpin. Zemërimi i grupit legjendar britanik buron nga fakti që miliarderi njujorkez po përdor muzikën e tyre për fushatën e vet presidenciale.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i bandës e beri të qartë se Trumpit nuk i është dhënë kurrë leja për ta bërë një gjë të tillë. Manjati i pasurive të patundshme e nisi tubimin e së martës në Nju Jork me tingujt e “Start Me Up”, të cilat shoqëruan ngjitjen e tij në podium, e paskësaj, e përdori sërish në fund të fjalimit.
Përfaqësuesi i fushatës së njeriut që duket tashmë se do të jetë i nominuari republikan në zgjedhjet e nëntorit, nuk iu përgjigj kërkesës për shpjegime, të drejtuara atij një ditë më parë.
Rolling Stones nuk janë të vetmit që ankohen nga republikani i zhurmshëm e kontrovers. Të tjerë artistë, ndër të cilët Adele dhe R.E.M. i kanë kërkuar dhe ata prerazi të mos e përdorë më muzikën e tyre.