“Rolling Stones”, koncert falas në Kubë
“The Rolling Stones” kanë lajmëruar se do të japin koncert falas në Kubë, më vonë gjatë këtij muaji. Një zëdhënës i grupit tha se, koncerti në kryeqytetin Havana, më 25 mars, ishte i pari koncert në qiell të hapur në Kubë, nga një grup rroku britanik.
“Rolling Stones” ndodhen aktualisht në një turne në Amerikën Latine, që pritet të përfundojë më 17 mars në qytetin e Meksikos. Koncerti në Havana vjen 3 ditë pas vizitës historike në Kubë të Presidentit amerikan, Barack Obama, e para e një Presidenti të Shteteve të Bashkuara që nga 1928-a.
Në një deklaratë, grupi “Rolling Stones” tha:
“Ne kemi performuar në shumë vende speciale gjatë karrierës sonë të gjatë, por koncerti në Havana do të jetë një ngjarje historike për ne, e shpresojmë edhe për të gjithë miqtë tanë në Kubë”.
Muzika rrok ka qenë e margjinalizuar në Kubë për arsye politike, pas revolucionit kubanez në vitet ’50, që solli në pushtet Fidel Castron. Dikur, qeveria komuniste e kishte ndaluar muzikën e grupit britanik të rrokut, duke e quajtur atë një devijim ideologjik.
Kuba e censuroi grupin londinez në 1962-shin, njësoj si “Beattles” dhe Elvis Presleyn. Në 2001-shin, “Manic Street Preachers” u bënë grupi rrok më i madh britanik që luajti në vend, duke mbajtur një koncert në teatrin “Carl Marks” të Havanës, ku mori pjesë edhe Presidenti kubanez.
Turneu “Ole, Amerika Latine” i “Rolling Stones” do ta çojë grupin edhe në Brazil, Peru dhe Kolumbi. Koncerti në Havana do të filmohet nga regjisori Paul Dugdale, që më herët ka punuar me “One Direction”, Adele dhe “Coldplay”.