Rrëfim nga ferri i ISIS-it, një grua tregon jetesën në Falluxhan e terrorit
Historia e vuajtjeve të një familjeje si shumë të tjera në Falluxhan e kontrolluar nga ISIS-it vjen në rrëfimin e njërës prej atyre fatlumeve që arritën t’i largohen ferrit të militantëve islamikë.
Um Ahmad, një mesogrua mundi të shpëtojë bashkë me tre të afërm të saj e tani jeton në kampin e refugjatëve në Garma, në verilindje të qytetit, ku i sollën trupat irakiane disa ditë më parë.
Rreth 7 apo 8 muaj më parë, shpjegon ajo, çmimet e të gjithë artikujve në Falluxha u rritën ndjeshëm kur beteja kundër ISIS-it u intensifikua.
“Çmimi i salcës së domateve shkoi 45.000 dinarë apo mbi 38 dollarë kilogrami. Mielli, 17.000 dinarë për kilogramë. Bukë nuk gjenim. Mund të hanim vetëm bukë të mykur. Kur nuk gjendej as ajo, e shuanim urinë me hurma arabie, të cilat i kishim të ruajtura prej një kohe shumë të gjatë”, rrefehet Um Ahmad.
Gjatë përplasjeve më të forta mes ISIS-it dhe forcave qeveritare në 23 maj, familja e Ahmadit dhe shumë fshatarëve të tjerë u nxorën nga shtëpitë e tyre e u përdorën nga ekstremistët si mburoja njerëzore për të ngadalësuar ofensivën e trupave ushtarake drejt Falluxhas. Edhe pse ajo dhe njerëzit e saj arritën të shpëtonin, ka lënë shumë familjarë pas dhe nuk e di nëse janë ende gjallë apo jo.
“Nipi im, e shoqja dhe katër fëmijët kanë mbetur të bllokuar atje. 10 pjesëtarë të tjerë të familjes, përfshirë tre vëllezër, u larguan dhe ata por nuk e di nëse kanë shpëtuar apo kanë rënë në duart e ekstremistëve e janë vrarë”, thotë Um Ahmad.
Beteja për Falluxhën vazhdon me forcat qeveritare që kanë hasur në një rezistencë shumë të ashpër të ekstremistëve brenda në qytet.