Rritja e pagave për personelin akademik të universiteteve
Ndryshon struktura e pagave dhe pagesat specifike për orët shtesë të personelit akademik në universitete.
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e radhës të zhvilluar ditën e djeshme, dy vendime në të cilat përcaktohen ndryshimet që pëson struktura e pagave të punonjësve në institucionet e arsimit të lartë publik, duke u ndalur veçanërisht në pagesat e reja që do të marrë çdo punonjës për orët shtesë të mësimit që do të zhvillojë në auditore, si dhe statusi me të cilin do të trajtohen të gjithë punonjësit e arsimit të lartë në vend.
Pagesa për çdo orë mësimore mbi normën e miratuar, përshkallëzohet sipas titujve që ka secili pedagog. Konkretisht, vendimi saktëson se personeli i kategorisë “Profesor”, përfiton 1,320 lekë për çdo orë 60-minutëshe që zhvillon mbi normën e përcaktuar vjetore.
Ndërsa punonjësit që janë në kategorinë “Profesor i Asociuar”, do të përfitojnë 1, 210 lekë për çdo orë 60-minutëshe, punonjësit e kategorisë “Docent” do të përfitojnë 1,100 lekë për çdo orë shtesë, punonjësit që janë “Lektor i parë”, përfitojnë 880 lekë për çdo orë mbi normë, si dhe punonjësit që janë të kategorisë “Lektorë”, përfitojnë 660 lekë për çdo orë 60-minutëshe që do të zhvillojnë mbi ngarkesën vjetore të përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë dhe rregulloret përkatëse të vetë universiteteve. Koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1,536 orë në vit.
Ngarkesa mësimore e personelit akademik parashikohet në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Leja vjetore e personelit akademik është jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike).
Në rast se kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, si pasojë e nevojës së institucionit dhe me propozimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe me miratimin e Bordit të Administrimit, jepet shpërblimi përkatës në të holla.
Efektet financiare të rritjes së pagave dhe ndryshimit të pagesave për orët mbi normë do të reflektohen që në pagesat e muajit mars të këtij viti. Anëtarët e personelit akademik të kategorive “Profesor” dhe “Lektorë”, punësohen në IAL nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të pacaktuar.
Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Asistentë-lektorë”, punësohen në universitete nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të caktuar. Të treja këto kategori mund të punësohen me kohë të plotë, apo me kohë të pjesshme.
Po sipas vendimit të qeverisë, personeli akademik nuk mund të largohet apo të zëvendësohet, pa miratimin e tij, gjatë kryerjes së punës kërkimore-shkencore në një projekt të ndjekur prej tij, përveç rasteve të shkeljeve të rënda të vërtetuara, të parashikuara në Kodin e Punës dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit të lartë.
Statusi për trajtimin e veçantë të personelit akademik
Sipas këtij vendimi, personeli akademik gëzon status dhe trajtim të veçantë, që konsiston në liritë akademike, të drejtat ekonomiko–financiare, detyrimet e përgjegjësitë, si dhe garancitë juridike e civile në zbatim të tyre.
Personeli gëzon liri akademike në këto drejtime të veprimtarisë së tij, në: “ mësimdhënie, punë kërkimore-shkencore, kontribut institucional, kontribut profesional”. Liria akademike ushtrohet në kuadrin e përgjegjshmërisë pedagogjike e shkencore dhe nuk presupozon përjashtimin nga vlerësimi i performancës së personelit akademik.
Gjithashtu në vendim saktësohet se personeli akademik nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të tij ndaj politikave të institucionit. Në të gjitha rastet, personeli akademik vepron brenda normave të etikës, në respekt të institucionit dhe kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi. Këta punonjës e humbasin statusin kur u zgjidhet kontrata.
Anëtarët e personelit akademik nuk mund të penalizohen nga institucioni i arsimit të lartë për shkak të rezultateve të vlerësimit të punës së tyre kërkimore-shkencore, të kryera në përputhje me fushën përkatëse dhe misionin e institucionit të arsimit të lartë.
Për rastet kur anëtari i personelit akademik konstaton se i është cenuar liria akademike, dinjiteti profesional, apo ka një qëndrim joetik ndaj tij, i drejtohet Këshillit të Etikës të Institucioneve të Arsimit të Lartë po për këto çështje.
Procedura e trajtimit të ankesave kryhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit lartë. Vendimi i Këshillit të Etikës është gjithnjë i ankimueshëm në rrugë gjyqësore.
Personeli akademik, brenda kohës efektive të punës, mund të kryejë detyra akademike, shkencore, ose në mbështetje institucionale ndaj të tretëve, në përputhje me statutin dhe rregulloret e vetë universitetit.
- Koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1,536 orë në vit. Ngarkesa mësimore e personelit akademik parashikohet në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.
- Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Asistentë-lektorë”, punësohen në institucionet e arsimit të lartë nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të caktuar. Të treja këto kategori mund të punësohen me kohë të plotë, apo me kohë të pjesshme
- Leja vjetore e personelit akademik është jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike). Në rast se kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, si pasojë e nevojës së institucionit dhe me propozimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe me miratimin e Bordit të Administrimit, jepet shpërblimi përkatës në të holla.
- Personeli akademik, për aktivitete që lidhen me drejtimet e punës së tij, ka të drejtën e përfitimit të një leje deri në dy javë, me miratim nga drejtuesi i njësisë kryesore, që informon, në çdo rast, rektorin. Për kohëzgjatje mbi dy javë, leja merret nga rektori. Në të gjitha rastet, kërkesat për leje duhet të jenë të dokumentuara dhe të justifikuara. Personeli akademik raporton përpara departamentit mbi aktivitetin e kryer gjatë lejes.
- Personeli akademik mund të kryejë detyra të larta në administratën publike, vendase apo të huaj, për jo më shumë se 5 vjet, pa ndërprerje, duke ruajtur statusin e tij. Në funksion të ruajtjes së vendit të punës, sipas profilit akademik, nënshkruhet një marrëveshje e posaçme me rektorin e institucionit. Pas kësaj periudhe, anëtari i personelit akademik, me kërkesën e tij, rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlefshëm.
- Punonjësit akademik me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion administrimi në institucionin e arsimit të lartë ku janë të punësuar me përjashtim të zgjedhjes anëtar në Bordin e Administrimit.
- Pagat e personelit akademik të të gjitha kategorive, përcaktohen nga Bordi i Administrimit, pasi ka marrë mendimin e Senatit Akademik, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
- Personeli akademik mund të kërkojë leje, pa të drejtë page, për arsye shëndetësore apo familjare. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.