Rrjeti i uniformuarve në Greqi: dialogjet që “djeg”in, kontabilistja Markella në qendër të skemës
Zbardhen bisedat e regjistruara të dy organizatave me fatura fiktive akomodimi, që i kushtuan shtetit grek mbi 12 milionë euro në shtatë vjet; janë ngrirë pasuritë e 33 personave dhe 25 kompanive
Zbulimet për rrjetin e uniformuarve në Greqi nuk kanë të ndalur. Siç njofton gazeta greke Efsyn, bisedat e regjistruara hedhin dritë mbi strukturën dhe lëvizjet e anëtarëve të dy organizatave kriminale me fatura fiktive, të cilat vepronin paralelisht dhe i kanë shkaktuar shtetit grek një dëm mbi 12 milionë euro gjatë shtatë viteve të fundit.
Në qendër të rrjetit shfaqet kontabilistja e njohur me emrin “Markella”, një nga figurat qendrore të skemës. Tashmë janë ngrirë pasuritë e 33 personave dhe 25 kompanive. Mes tyre janë tre policë, tre pjesëtarë të Rojës Bregdetare, privatë që dyshohet se kishin rol qendror në funksionimin e rrjeteve, të afërm të tyre, si edhe shtetas të huaj që shfaqeshin si administratorë kompanish.
Sipas televizionit ERT, të cilit i referohet Efsyn, “Markella”, ish-bashkëshortja e një polici të njësisë MAT, dyshohet se kishte ndërtuar një rrjet qirash fiktive banesash për uniformuar, duke përdorur të afërm të ngushtë për lëvizjen e parave. Vetë ajo shmangte kontaktin e drejtpërdrejtë me “klientët”, për të mbuluar veprimtarinë e saj.
Dialogjet e regjistruara tregojnë mënyrën e menaxhimit të parave. “Do të kaloj nga N… të marr dy arka që ka. Arkën e djeshme e ke ti?”, dëgjohet të thotë kontabilistja, ndërsa e ëma i përgjigjet se e ka me vete. Në një tjetër bisedë, e ëma e pyet: “Dhe përsëri para sot?”, dhe ajo përgjigjet: “Dhashë shumë nga xhepi im, nga ato që kam unë dhe që nuk i di askush. Deri në fund të dhjetorit do të vuaj shumë”. Hetuesit vlerësojnë se e akuzuara bënte pothuajse çdo ditë tërheqje shifrash të konsiderueshme për t’u kthyer paratë klientëve të rrjetit.
Rol kyç dyshohet se kishte edhe e ëma e kontabilistes, e cila udhëtonte në rajone të ndryshme të vendit, kryesisht në Kretë, Lero dhe Kos, për të marrë para në dorë që lidheshin me faturat fiktive, dhe për këtë paguhej nga e bija. Në rrjet dyshohet se ishte përfshirë edhe mbesa e kontabilistes, e cila kontrollonte akomodimet; besimi ndaj saj ishte i tillë, sa në disa raste pagesat përmes sistemit IRIS bëheshin përmes llogarive të saj ose të të atit.
Sipas hetimit, bashkëshorti i ndarë i kontabilistes, polic nga Janina, shfrytëzonte pozicionin e tij duke njohur shumat e kompensimeve për zhvendosje dhe boshllëqet e mundshme në kontrolle, ndërsa kërkonte klientë të rinj uniformuar për rrjetin. Për këtë rol dyshohet se merrte 2.000 euro në muaj.
Paralelisht, autoritetet përshkruajnë veprimtarinë e një organizate të dytë, e cila nga viti 2020 dyshohet se vepronte nga një apartament në Gizi dhe u shërbente ekskluzivisht policëve dhe pjesëtarëve të Rojës Bregdetare në zhvendosje. Për të shmangur zbulimin, anëtarët përdornin aplikacione komunikimi në internet, merrnin automjete me qira, mbanin llogari bankare jashtë vendit dhe takoheshin në vende të hapura, madje edhe pranë shërbimeve policore. Një punonjëse e zyrës udhëtonte sistematikisht në ishuj për të marrë para dhe për të dorëzuar fatura.
Policia vendosi ta përshpejtojë operacionin kur, nga përgjimet e fundit, mësoi se kreu i dyshuar i organizatës së dytë planifikonte të arratisej në Tajvan, ndërsa “Markella” dyshohet se shqyrtonte mundësinë që në dhjetor të mbyllte kompanitë e lidhura me veprimtarinë e rrjetit. Kështu u organizua operacioni i madh që çoi në çmontimin e dy organizatave, çështje për të cilën 24-ore.com ka raportuar edhe arrestimet dhe zhvillimet e mëparshme.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.