Ekonomia
Rruga Levan-Tepelenë, KLSH: Projekti gjysmak rriti koston e ndërtimit me 8.3%
Kontrolli i Lartë i shtetit ka përfunduar një audit në Autoritetin Rrugor Shqiptar, për projektin “Ndërtimi i rrugës Levan-Tepelenë”, ku ka vërejtur se vonesat në disburësimin e fondeve dhe problemet që ka krijuar çështjet e pronësisë kanë ndikuar në mbarvajtjen e projektit. Gjithashtu KLSH vëren se, kosto e projektit gjatë zbatimit në kontratën nr. 2 Damës-Tepelenë është rritur nga 27,932,628.41 euro në 33,811,034.3 euro ose 8.3 %.
Nga auditimi i projektit “Ndërtimi i rrugës Levan-Tepelenë”, ka rezultuar se disbursimet kanë qenë në nivele të ulëta. Për këtë arsye është kërkuar shtyrja e afatit të përfundimit të projektit. Ritmi i ulët i disbursimeve dhe vonesa në përfundimin e projektit, ka ndikuar dhe po ndikon në vënien me vonesë në eficiencë të projektit, duke mos marrë në kohën e duhur përfitimet e pritshme nga investimi.
Për këtë rekomandojmë: Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Njësia e Menaxhimit të Projektit të marrin masa për të zbatuar me përpikmëri, në kohë dhe në cilësi të gjitha angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshjet e huasë për financimet e projekteve në lidhje me mënyrën e raportimit te donatorët, ritmet e disbursimeve, për të realizuar objektivat dhe komponentët e projektit.
KLSH vëren se, si pasojë e ndryshimeve të shumta të projektit, vlera e kontratës nr. 2 (Damës-Tepelenë), nga 27,932,628.41 euro është rritur në vlerë 33,811,034.3 euro ose 8.3 %. Sipas KLSH, ndryshimet janë bërë si pasojë e projektit të zbatimit, i cili është miratuar në vitin 2004 dhe nuk parashikonte ndërprerjet me linjat e energjisë elektrike të ujit të pijshëm dhe të gazit, po ashtu si pasojë e kushteve të terrenit të paparashikuara. Janë bërë ndryshime të cilat kanë afektuar pjesën më të madhe të rrugës, ndërkohë që në një segment me gjatësi rreth 3 kilometër akoma nuk kanë filluar punimet për rikonstruksionin e saj.
KLSH rekomandon që, për projekte zbatimi, të cilat kanë një diferencë të konsiderueshme kohe nga hartimi deri në stadin e miratimit të marrëveshjes se financimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar të marrë masa që gjatë procesit të prokurimit të shërbimeve konsulente, të përfshijë në propozimet financiare dhe teknike rishikimet e nevojshme të tyre.
Realizimi i punimeve pa realizuar një garë kompetitive siç mund të bëhej në rastin e parashikimit në projektin origjinal, më tej pjesë e dokumenteve të tenderit, ka bërë që këto punime të realizohen me çmimet e tregut, pasi konkurrimi për to, në rastin e ndryshimeve mund të bëhet me minimumi paraqitjen e ofertës minimumi nga 3 operatorë, vëren KLSH.
Po ashtu, bazuar në pikën 13.5 (b), të kushteve të veçanta të kontratës, për çdo punim që realizohet, i cili nuk është parashikuar në kontratë, pas paraqitjes së ofertave për realizimin e tyre, kontraktori përfiton 10 % të vlerës së tyre, duke rritur në këtë mënyrë koston e projektit. Sipas KLSH, këto mangësi janë konstatuar në përgjithësi edhe nga auditimi i projekteve të tjera që menaxhohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, megjithatë nuk janë marrë masat e duhura në këtë drejtim.
KLSH i rekomandon Autoritetit Rrugor Shqiptar të marrë masa që gjatë hartimit të projekteve të kërkojë nga njësitë e pushtetit vendor apo entitete të ndryshme hartat e azhurnimit të rrjeteve të telefonisë, energjisë elektrike, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, të gazit etj., për të mundësuar hartimin e projekteve me saktësi dhe shmangien e ndryshimeve gjatë zbatimit të tyre.
Nga auditimi ka rezultuar se në segmentin rrugor Levan-Damës, është ndërtuar rrethim anësor (guardrails) vetëm në gjatësinë 14 kilometër, nga gjatësia prej 35 kilometër i këtij segmenti rrugor.
Gjatë zbatimit të kontratës “Ndërtimi i segmentit rrugor Levan-Damës”, por edhe segmentit tjetër “Damës-Tepelenë”, ka rezultuar se, procesi i shpronësimit nuk ka ecur siç duhet. Për këtë arsye, Kompanitë ndërtuese kanë paraqitur një sërë pretendimesh, të cilat kanë të bëjnë me vonesa të shkaktuara nga ky proces.
KLSH ka rekomanduar që Autoriteti Rrugor Shqiptar të marrë masat e duhura në kohë për realizim të shpejtë dhe efecient të procesit të shpronësimeve, për shmangien e ndërprerjeve, pezullimeve apo vonesave në zbatimin e kontratave të punimeve, të cilat çojnë në rritje të kostos së projekteve, vënie me vonesë në eficiencë dhe mos arritje të objektivave të parashikuara në afat.
Nga auditimi i zbatimit të kontratave të punimeve civile sipas këtij projekti ka rezultuar se, krijohen vonesa të shumta në vënien e territorit për realizimin e punimeve nga kontraktorët. Po ashtu, kanë rezultuar ndërprerje të shumta të punimeve, ku si pasojë, kontraktorëve u lind e drejta për përllogaritjen e pretendimeve për shtesë afati të përfundimit si dhe kosto shtesë.
KLSH i rekomandon Autoriteti Rrugor Shqiptar të marrë masa të vazhdueshme për sigurimin e eksesit të kontraktorëve në objektet në ndërtim, me qëllim shmangien e vonesave dhe ndërprerjeve të punimeve të cilat ndikojnë negativisht në përformancën e projekteve dhe tejkalim të afatit të përfundimit të punimeve i cili shoqërohet me: – Pagesa për rishikimin e çmimeve përtej atyre të parashikuara. – Lindjen e pretendimeve të kontraktorëve për shtesë në afatin e përfundimit të punimeve si dhe shtesë kostoje. – Vonesa të futjes në eficiencë të investimit. – Ulje të përfitimeve të pritshme të përllogaritura nga investimi. – Mos arritje në kohë të qëllimit dhe objektivave të projektit.