Ekonomia

Rumani, Veliaj firmos: 5 mijë shqiptarëve do t’iu njihen kontributet për pension

Rreth pesë mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani do t’u njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për të përfituar pension. Kështu njoftoi sot Ministria e Mirëqënies Sociale, pas firmosjes së marrëveshjes “Për mbrojtjen Shoqërore” në Bukuresht nga Ministri Erion Veliaj dhe homologia rumune, Rovana Plumb. Veliaj ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Rama në Bukuresht.

MarreveshjaNga zbatimi i kësaj marrëveshje, për shtetasit e të dy vendeve do të merret në konsideratë bashkimi i periudhave të kontributeve të plotësuara në të dy vendet, në rastet e përfitimeve pensione të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare.

Më konkretisht, marrëveshja parashikon që në rast se një shtetas shqiptar ka punuar dhe është siguruar në Shqipëri për një periudhë 14 vjeçare, por ka punuar edhe në Rumani për rreth 14 vite, ai mund të bëjë bashkimin e të dyja periudhave të sigurimit. Pra, personit i konsiderohen 28 vite pune dhe pavarësisht se ku aplikon për të marrë pension, ai plotëson kushtet për pension. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet propocionalisht nga secili shtet.

Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte bërë e mundur, ky shtetas nuk do të përfitonte pension në asnjërin nga vendet, sepse legjislacioni kërkon minimalisht 15 vite sigurimi shoqëror për të përfituar pension. Gjithashtu, zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë eksportimin e përfitimeve nga Shqipëria në Rumani, kur personi qëndron apo ka vendqëndrimin në Shqipëri dhe anasjelltas. Pra nëse personi merr pension në Shqipëri dhe shkon të jetojë në Rumani pensioni i tij do të transferohet atje dhe anasjelltas.

Përfitimet e kësaj marrëveshje kanë të bëjnë edhe me rastet sëmundjeve, barrëlindjeve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, dhe pagesat për vdekje nga skema e sigurimeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor. Rregullat koordinuese të përcaktuara në marrëveshje garantojnë që personat, të cilët lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button