Bota

Rusi: Hetime kundër Ukrainës për “krime lufte”

Moska mirëpret Armeninë dhe kritikon Moldavinë në Unionin e saj euroaziatik, gjatë Samitit të Minskut

Presidenti PutinDuma shtetërore ruse ka kërkuar dje nga komuniteti ndërkombëtar, që të zhvillojë hetime lidhur me ato që ajo i ka përshkruar si “krime lufte”, të kryera gjatë konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës. Gjatë një procedure votimi pothuajse unanime, Duma, ose Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë, ka miratuar dje një rezolutë me të cilën i kërkohet Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Këshillit të Europës, që të zhvillojë hetime për ato që rusët thonë se janë varreza masive të zbuluara afër qytetit Donjeck, që është nën kontroll të kryengritësve. Muajin e kaluar, separatistët pro-rusë në Donjeck thanë se kishin zbuluar dy varreza me afro 400 trupa të pajetë, për të cilët ata thanë se ishin viktima të operacioneve ushtarake të forcave të qeverisë në Kiev. Zyrtarët e Ukrainës i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk e kishin nën kontroll këtë terren dhe se pretendimet nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Në muajin shtator, mediat ruse patën cituar një raport, duke iu referuar një eksperti të OSBE-së, duke thënë se qindra trupa të pajetë janë zhvarrosur nga varrezat masive në rajonin e Donjeckut, por OSBE-ja tha se personi i cituar, kurrë nuk ka punuar për OSBE-në. Kombet e Bashkuara thonë se janë të paktën 3,660 njerëz të vrarë që prej muajit prill, kohë kur pati nisur edhe konflikti në pjesën lindore të Ukrainës.

Konsolidohet Unioni Euroaziatik

Dje ka pasur edhe disa zhvillime në aspektin ekonomiko-politik, pasi Presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisian, nënshkroi marrëveshjen për anëtarësim në Bashkimin Ekonomik Euroazi, në takimin rajonal të shefave të shteteve në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë. Kësisoj, Armenia i është bashkuar Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, në këtë bllok doganor e ekonomik, marrëveshjet e të cilit hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Armenia thuajse e izoluar gjeografikisht, që ka një varësi të madhe nga Rusia, është tërhequr nga planet për nënshkrimin e një marrëveshjeje për lidhje më të afërta tregtare dhe diplomatike me Bashkimin Europian. Presidenti i Kazakistanit, Almazbek Atambaev, po ashtu, ka shfaqur shpresën se vendi i tij do t’i bashkohet Unionit Ekonomik në Euroazi, deri në fund të këtij viti. Po ashtu, dje, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka kaluar pa vëmendje edhe hapat e fundmit të Moldavisë, edhe kjo një ish-republikë sovjetike, duke e kritikuar atë për refuzimin e mbajtjes së konsultimeve me Moskën për marrëveshjen, që forcon lidhjet e saj me Bashkimin Europian. Gjatë fjalimit të djeshëm në Minsk, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Moldavisë, Nicolae Timofti, Putini tha se Marrëveshja për Asocim e Moldavisë me BE-në mund të ndikojë në raportet tregtare ndërmjet Rusisë dhe Moldavisë. Putin tha se Moldavia nuk u ishte përgjigjur “thirrjeve të shumta” të Moskës për ta shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në.

Moskë: Mihail Gorbaçov del nga spitali

Agjencia e lajmeve Interfax ka cituar dje ish-liderin sovjetik, Mihail Gorbaçov, të ketë thënë se gjendja e tij shëndetësore “sot është shumë më e mirë se sa dje”, ndërsa mjekët kanë konkluduar se ka shumë gjasa që ai të lirohet. Mediat ruse raportuan dje se Gorbaçov, 83-vjeçar, kishte qenë në spital, por nuk patën saktësuar se në cilin spital ishte dhe përse. Ai pati deklaruar më parë se shëndeti i tij po përkeqësohej. Mihail Gorbaçov u bë kryetar i ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1985 dhe dha dorëheqjen në vitin 1991, kur regjimi komunist pati rënë dhe unioni u shpërbë. Ai është lëvduar vazhdimisht nga Perëndimi për ndërmarrjen e reformave politike dhe ekonomike, por vijon të kritikohet ashpër nga shumë njerëz në Rusi, të cilët e fajësojnë atë për shkatërrimin e ish-Bashkimit Sovjetik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button