Bota

Rusi, vritet kreu i opozitës, Boris Nemtsov. Putin: Mund të jetë një “provokim”

Ish-zv/kryeministri, aktualisht një nga liderët kryesorë të opozitës është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar në Moskë.

Një person qëlloi 4 herë me armë zjarri drejt Boris Nemtsov në qendër të Moskës, dhe është larguar me shpejtësi, raporton agjencia e lajmeve ruse Interfax.

Boris Nemtsov u qëllua pranë Kremlinit, ndërsa ishte duke ecur në këmbë bashkë me një grua.

Në një intervistë të fundit, Nemtsov kishte thënë se i druhej atentateve, për shkak se ka kundërshtuar presidentin Putin për luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Kremlinit ka thënë se Putin ka dënuar vrasjen e Boris Nemtsov.

Agjencia e lajmeve Tass, citon presidentin rus, Vladimir Putin të ketë thënë se vdekja e Nemtsovit duket si një vrasje me pagesë dhe mund të jetë një “provokim”.

Nemtsov, 55 vjeç ka shërbyer si zëvendëskryeministër në vitin 1990, gjatë udhëheqjes së presidentit të ndjerë Boris Jelcin.

Ai kishte fituar një reputacion të madh si një reformator ekonomik dhe si një politikan i shquar i opozitës.

Thorbjorn Jagland, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, ka dënuar vrasjen nëpërmjet një reagimi në Twitter: “Jam i tronditur, njëkohësisht ndjej neveri për vrasjen e një prej liderëve të opozitës. Vrasësit duhet të dalin para drejtësisë’’- ka thënë Jagland.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button