Rajoni
Ruskoska dhe Mickoski caktuan takim për rastin “Reket”, por nuk u takuan
Çfarë kanë biseduar përmes telefonit kryetari i VMRO – DPMNE-së dhe shefja e Prokurorisë së Krimit të Organizuar? Hristijan Mickoski dhe Vilma Ruskoska me deklarata të ndryshme për takimin që kishin caktuar. Ruskoska mbrëmë në emisionin “Otvoreno” tha se lideri i opozitës mund të merret në pyetje për rastin “Reket” pasi në konferencë shtypi tha se kishte dëshmi rreth lëndës që në parti i kanë sjellë informatorët.
“Para se t’i valëvit ato gjëra, e kërkova në telefon sepse në një konferencë shtypi kishte deklaruar se atë askush nuk e ka thirrur në Prokurori kurse ai ka pasur njohuri edhe për raste të tjera. E mora në telefon, ai tha se këtë nuk e ka thënë. E pyeta nëse ka njohuri se janë marrë të holla edhe nga persona të tjerë, tha se do të mendoj. Për çfarë të mendoj? Se do të dëshironte të vijë të dëshmojë. Më tha, do të mendohem” – deklaroi Villma Ruskoska- Prokuroria e krimit të organizuar.
Mickoski doli me version të kundërt për bisedat telefonike me Ruskoskën dhe mesazhet e këmbyera. Kreu i partisë opozitare VMRO DPMNE pohon se me prokuroren është dashur të flasin për shantazhet që i ka marrë nga Katica Janeva, që si parti të votojnë për Ligjin e prokurorisë dhe si këmbim PSP ta zhbllokojë pronën e partisë.
“Më 26 korrik Ruskoska më dërgoi SMS porosi, me të cilën më luti të dëgjohemi. Unë pasi e pranova porosinë e thirra. Ajo më luti të takohemi. Unë e ftova të vijë në seli. Ajo tha se nuk është në rregull të vijë në seli. I thashë në rregull, në çfarë vendi tjetër dëshiron dhe cila është tema? Ajo më tha se tema është që edhe njëherë të bisedojmë rreth situatës aktuale, por edhe deklarata ime rreth shantazhit të cilin prokurorja speciale e bëri në një takim tonin” – u shpreh Hristijan Mickovski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.
Më datë 11 të muajit të kaluar, Mickovski në konferencë për shtyp tha se i ka të gjitha deklaratat e dhëna para Ruskoskës për rastin “Reket”. Ai pohonte se në dokumente përmenden emrat e personave nga pushteti. Për këtë rast tashmë ka aktakuzë kundër Boki 13, Katica Janevës dhe Zoran Kiçeec. Hetimi është zgjeruar edhe për organizatën humanitare të Boki 13, ndërsa një nga të dyshuarit është edhe deputetja e LSDM-së Frosina Remenski.