Sallaku: Besoni te projektet tona që t’u ofrojmë shërbimin e munguar
Në fshatin Palaq kandidati i ASHE, Luan Sallaku së bashku me zv.ministren e Arsimit dhe Sporteve, Nora Malaj përuruan hapjen e disa segmenteve të rrugëve të kësaj zone, të cilat ishin të pakalueshme deri më sot.
Në një zonë ku deri dje lëvizja mund të bëhej vetëm në këmbë, sot kjo rrugë është e kalueshme me makinë për këdo.
Një e mirë e madhe për komunitetin, që shërben jo vetëm për lëvizje, por edhe transport të mallrave e produkteve bujqësore.
Një investim, që përmirëson jetën e çdo banori.
Kandidati Sallaku u shpreh se “kur erdhëm në komunitetin tuaj për herë të parë, na shtruat problemet tuaja. Nuk ishin të pakta, si te çdo zonë ku kemi shkelur, por ajo që theksuat, ishte mungesa e një rruge të kalueshme për mjetet”.
“ Pas 3 javësh kthehemi sërish këtu. Kthehemi për t’iu dhënë një mesazh të thjeshtë. Ne dimë të mbajmë premtimet, dimë të bëjmë punën, dimë të ofrojmë shërbimet që ju kanë munguar”, u shpreh ai.
“Ky është premtimi i parë i dhënë dhe me bashkëpunimin tuaj, jam i bindur se do bëhet e mundur lidhja e zonës me fshatin e Marqinetit. Gjithçka për të cilën kemi nevojë është besimi tek ne, besimi tek projektet tona”, tha kandidati Sallaku.
Sallaku: Zgjidhja e problematikave të invalidëve, do të jetë prioriteti i punës sime
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku dhe zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj zhvilluan një takim me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në Bashkinë e Vorës figurojnë 687 persona me aftësi të kufizuar, nga të cilët 417 figurojnë invalidë pune. Kjo kategori gjatë këtyre 12 vjetëve nuk e ka ndjerë aspak mbështetjen e pushtetit lokal, madje në kundërshtim me ligjin ata janë ngarkuar të paguajnë dhe taksën e tokës.
Kandidati Sallaku duke prezantuar programin e tij për personat me aftësi të kufizuar tha se kjo kategori do të ketë rolin e saj të rëndësishëm në vendimarrjen e Bashkisë së re të Vorës dhe zgjidhja e problematikave që shqetësojnë invalidët do të jetë prioriteti i punës së tij si kryebashkiak i Vorës. Kandidati Sallaku prezantoi pesë pikat e programit të tij për personat me aftësi të kufizuar.
“Në Bashkinë e re të Vorës do të mundësojmë transport falas, përfshirjen në skemat e asistencës sociale, hapjen e një farmacie komunale per trajtim falas me ilaçe, përjashtimin nga taksat vendore dhe taksat e tokës si dhe do të mundësojmë punësimin e personave me aftësi të kufizuar në administratën e re të Bashkisë.”
Duke u ndalur te pika e fundit, Sallaku tha se pavarësisht se është detyrim ligjor, kryetari në ikje nuk punësoi asnjë person me aftësi të kufizuar në bashkinë e Vorës.
“Ligji thotë qartë se në administratën e bashkisë, në 24 punonjës, 1 punonjës duhet të jetë nga kjo kategori. Por në bashkinë e re te Vorës, unë angazhohem që ky raport do të jetë 20 me 1, pra në çdo 20 punonjës, 1 duhet të jetë nga personat me aftësi të kufizuar.”