☀️
Tiranë 30°C · Kthjellët 09 July 2026
S&P 500 7,483 ▼0.28%
DOW 52,348 ▼1.09%
NASDAQ 25,871 ▲0.2%
NAFTA 72.75 ▼1.05%
ARI 4,122 ▲0.97%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
₿ CRYPTO
BTC $63,039 ▲ +1.55% ETH $1,758 ▲ +1.31% XRP $1.0977 ▲ +1.59% SOL $78.2700 ▲ +1.4%
S&P 500 7,483 ▼0.28 % DOW 52,348 ▼1.09 % NASDAQ 25,871 ▲0.2 % NAFTA 72.75 ▼1.05 % ARI 4,122 ▲0.97 % S&P 500 7,483 ▼0.28 % DOW 52,348 ▼1.09 % NASDAQ 25,871 ▲0.2 % NAFTA 72.75 ▼1.05 % ARI 4,122 ▲0.97 %
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
09 Jul 2026
Breaking
Opinion

Samiti i ardhshëm i NATO-s dhe samuti që u prodhua në Tiranë për të

Nga Ylli Manjani

Në Shqipëri nuk ka ngjarje ndërkombëtare që t’i shpëtojë ligjit të parë të debatit tonë publik: sa më i madh lajmi, aq më e madhe fabrika e samutit. Këtë herë radha ishte e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Për ditë me radhë u prodhua një industri e tërë teorish. Shqipëria qenka “regjim”. NATO nuk mund të vijë në një vend të tillë. Nuk kemi plotësuar 5%-shin e PBB-së. Perëndimi e ka izoluar Ramën. Bazat ushtarake janë prishur për të ndërtuar kulla. Aleatët janë të zemëruar. E kështu me radhë, derisa imagjinata filloi të konkurronte me letërsinë fantastiko-shkencore.

Pastaj doli Mark Rutte dhe, me qetësinë karakteristike të burokratit që nuk merret me thashetheme ballkanike, konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë.

Tani, sipas logjikës së samutsave profesionistë, mbeten vetëm dy shpjegime. Ose Rutte është blerë nga Rama. Ose NATO është infiltruar nga sekti i atletëve të bardhë.

Sigurisht, gjithmonë mbetet një shpresë. Të kapen pas videos ku Trump nuk ua hodhi sytë atletëve të bardhë të Ramës. Aty mund të ndërtohen edhe disa teori të reja. Në fund të fundit, edhe humori ka nevojë për lëndë të parë. Thuhet madje se teori të tilla ndihmojnë edhe kundër kapsllëkut intelektual.

Edi Rama mund të mos jetë kryeministri që shumë shqiptarë dëshirojnë. Mund të kritikohet për qeverisjen, për arrogancën, për gabimet, madje edhe për ato atletet e famshme. Kjo është normale.

Por krejt tjetër gjë është të shash Shqipërinë vetëm që të godasësh Ramën.

Kjo është si të djegësh shtëpinë vetëm që t’i nxish perdet fqinjit.

Ka njerëz që, për inat të qeverisë, janë gati të bindin botën se vendi i tyre është një ferr, një diktaturë, një shtet i dështuar, një aleat i padëshiruar. Dhe këtë e paraqesin si patriotizëm.

Patriotizëm?!

Jo. Patridiotizëm.

Sepse patrioti kritikon qeverinë për ta bërë vendin më të mirë. Patridioti shan vendin për ta bërë qeverinë të duket më keq. Dallimi është i madh.

Duhet ta mësojmë një herë e mirë këtë mësim: në NATO nuk ka vende që klasifikohen si “regjime” dhe, megjithatë, trajtohen si partnerë normalë për organizimin e samiteve. Aleanca ka standardet e saj politike, ushtarake dhe strategjike. Anëtarësia nuk është klub ku futesh në mëngjes dhe të nxjerrin në darkë sipas humorit të analistëve të Tiranës.

NATO është një aleancë strategjike. Nuk është organizatë aktivistësh që mat temperaturën e debateve në rrjetet sociale shqiptare. Nuk vendos samite sipas densitetit të statuseve në Facebook apo sipas sasisë së baltës që hidhet në televizionet e mbrëmjes.

Madje NATO ka një filozofi krejt të kundërt me atë të revolucionarëve tanë ambientalë të përhershëm. Aleanca kërkon vende të forta, me ekonomi më të zhvilluar, me infrastrukturë më të mirë dhe me kapacitete më të mëdha mbrojtëse. Nuk u sugjeron anëtarëve të ndalojnë zhvillimin që të ruajnë ndonjë romantizëm provincial.

Dhe kur vendoset që një samit të organizohet në një vend, ai zhvillohet. Anulimi ndodh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme: luftë, katastrofa madhore, pamundësi objektive sigurie.

Jo sepse në vendin pritës prodhohet më shumë samut sesa oksigjen.

Për fat të mirë, NATO i mat aleatët me kritere strategjike.

Për fat të keq, ne vazhdojmë të matim Shqipërinë me inatin e ditës. Dhe sa herë që realiteti i jep një shuplakë teorive tona, nuk ndryshojmë teoritë. Ndryshojmë vetëm dozën e samutit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.