Kosova

Rexhep Hoti: Kishte edhe të tjerë që donin të konkurronin për kryetar të PDK-së

Rexhep Hoti, zëvendësministër i Rinisë, Kulturës dhe Sportit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në fjalën e tij në Konventën e VII-të Jashtëzakonshme ka thënë se është faji Kryesisë së partisë që nuk ka arritur të ketë më shumë se një kandidat për kryetar.

“Unë kam informacione që ka pasur njerëz që kanë dashur të konkurrojnë”, ka thënë Hoti, njofton Klan Kosova.

Hoti ka thënë se një kandidat tjetër nuk do ta rrezikonte zgjedhjen e Veselit, sepse “kryetari s’ka nevojë të zgjedhet, sepse tashmë ai veç dihet”.

Hoti ka folur edhe për probleme të tjera që e mundojnë Kosovën.

“Mendoj se politikat në arsim duhet të ndërrohen rrënjësisht. Është e vërtetë që ne kemi ndërtuar shkolla dhe i kemi përmirësuar pagat, por jemi larg krijimit të cilësisë në arsim”.

“Pikë tjetër të cilën desha ta theksoj është bujqësia. Ne kemi bërë shumë, por ne nuk mund të vazhdojmë të ndajmë miliona. Duhet të krijojmë politika kreative në bujqësi, e jo vetëm të bëjmë konkurse për të ndarë të holla”.

“Ne duhet t’i themi STOP të gjitha manipulimeve që ndodhin në shëndetësi, në mënyrë që ajo të rimëkëmbet mirëfilli. Ka 17 vjet që Kosova e humbet rastin për ta zgjidhur problemin me energjinë. Këtë politika duhet të marrin fund nëse duam të ecim përpara”.

Hoti ka thënë se PDK duhet të zgjohet nga gjumi, njofton Klan Kosova.

“PDK duhet të ngritet nga gjumi dhe të ketë kurajo të ngritet mbi interesat e veta. Nuk mjafton që të themi se jemi partia e parë – më e madhe”.

“Ne kemi gjenerata të reja që dinë të qeverisin dhe nëse dikush – qoftë edhe unë – nuk di ta bëj këtë gjë, atëherë atij duhet t’i tregohet dera”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button