Sejko merr pjesë në takimin e Klubit të Guvernatorëve
Nga data 30 tetor deri më datë 1 nëntor, në Jeruzalem zhvillon punime takimi i 36-të i Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, ku merr pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në këtë takim marrin pjesë 24 guvernatorë nga vende të ndryshime të rajoneve të mësipërme dhe diskutimet bazohen në sfidat e ndryshme me të cilat po përballen bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe atij makroekonomik.
Takimi shërben gjithashtu si një platformë diskutimi për të shkëmbyer idetë dhe përvojat mbi zhvillimet e teknologjisë, ku të gjitha bankat qendrore prezantojnë angazhimin e tyre në adoptimin e masave bashkëkohore lidhur me sigurimin dixhital dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Guvernatori i Bankë së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit. Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi para të pranishmëve zhvillimet e fundit në planin institucional, ku veçoi projektin e menaxhimit të rrezikut operacional dhe në planin kombëtar angazhimet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të strategjive për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kërcënimet kibernetike, etj., duke u fokusuar në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit që synon adoptimin e direktivave europiane në këtë fushë dhe arritjen e standardeve bashkëkohore.
Klubi i Guvernatorëve është krijuar në vitin 199 me nismën e Bankës Qendrore të Turqisë. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.