Ekonomia

Sejko: Progresi i sektorit privat na bën optimistë se inflacioni nuk do ta cenojë shëndetin afatgjatë të ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në fjalën e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, megjithëse ritmi i rritjes do të ngadalësohet disi në afatin e shkurtër.

Por, sipas tij, stabilizimi i ambientit monetar dhe reduktimi i pasigurisë do t’i hapin rrugë një rritjeje më të shpejtë ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë. Një element thelbësor në këtë projeksion, sipas tij, është progresi i dukshëm i bërë nga sektori privat në vitet e fundit.

“Prognoza ekonomike pasqyron, në radhë të parë, shëndetin e sektorit privat të ekonomisë shqiptare. Ky sektor ka bërë një progres të admirueshëm gjatë viteve të fundit, në drejtim të gjetjes së tregjeve të reja, të rritjes së eficiencës operacionale, të përmirësimit të shëndetit financiar, si dhe të rritjes së vizionit të tij strategjik.

Dëshmia më e mirë e këtij progresi ishte rimëkëmbja e shpejtë që përjetoi ekonomia shqiptare pas goditjes së pandemisë.

Besoj se ato cilësi që ndihmuan sektorin privat në atë periudhë: kujdesi për punëmarrësit, bashkëpunimi midis bizneseve, si në planin horizontal dhe atë vertikal, ndarja e drejtë e kostove në të gjithë zinxhirin e prodhimit, si dhe fleksibiliteti operacional e financiar, do të jenë elemente të rëndësishme në përballimin e inflacionit të lartë.

Paralelisht me të, jam i bindur se sektori bankar do të vazhdojë të mbështesë financiarisht biznesin, duke orientuar fondet drejt projekteve rentabël dhe sektorëve më produktivë. Parashikimet tona sugjerojnë se tregjet financiare do të vazhdojnë të jenë të qeta, kursi i këmbimit relativisht i qëndrueshëm dhe shëndeti i ndërmjetësve financiarë, përfshirë dhe sektorin bankar, i pacenuar,” tha në fjalën e tij Guvernatori.

Sejko theksoi sërish se inflacioni i lartë është sfida kryesore e politikave ekonomike dhe e operatorëve të sektorit privat, duke përsëritur se angazhimi për uljen e inflacionit është prioriteti i Bankës së Shqipërisë në këtë periudhë.

“Të gjithë i njohim dëmet që sjell inflacioni i lartë mbi familjet, bizneset dhe ekonominë. Ai redukton fuqinë blerëse të të ardhurave tona, zhvlerëson kursimet, shton pasigurinë për të ardhmen dhe zbeh rolin informues të çmimeve në ekonomi. Kjo rrit koston financiare dhe dëmton aftësinë e biznesit dhe të familjeve për të marrë vendime të mirinformuara për konsum, kursim dhe investime në të ardhmen.

Detyra jonë prioritare si vendimmarrës publikë, është të marrim masat e duhura për të mos lejuar që goditja e ofertës të shkaktojë pasoja afatgjata në shëndetin e ekonomisë shqiptare.

Në këtë kontekst, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë tërësisht e përkushtuar për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar të vendit. Nisur nga sa më sipër, prioriteti i Bankës së Shqipërisë është kthimi i inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër.

Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një cikël normalizues të qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit nga niveli 0.5% në nivelin 2.75% gjatë vitit 2022. Ky normalizim synon të vendosë një ekuilibër më të mirë midis kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime për to, duke ofruar stimujt e duhur për stabilitetin monetar e financiar të vendit.

Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, ky stabilitet mbetet një parakusht i pazëvendësueshëm jo vetëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë, por edhe për mirëqenien e barazinë sociale,” tha Sejko.

Ndërsa goditjet e njëpasnjëshme kanë marrë kohën dhe vëmendjen tone gjatë viteve të fundit, Guvernatori përsëriti edhe njëherë apelin që, si politikëbërësit ashtu edhe operatorët e sektorit privat nuk duhet të harrojnë se reformat strukturore janë një instrument i pazëvendësueshëm për rritjen e potencialit prodhues të vendit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania”.

Sipas tij, këto reforma marrin një rëndësi të madhe ndërsa vendi hedh hapa përpara në rrugën tonë të integrimit me Bashkimin Europian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button