Sejko: Shqipëria, me normat më të ulëta të inflacionit në rajon
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se mbajtja e pandryshuar e çmimit të energjisë, si dhe mbiçmimi i lekut për shkak të të ardhurave nga turizmi janë dy faktorët që kanë luajtur rolin kryesor që kanë ndikuar në nivelin e ulët të inflacionit, krahasuar me vendet e rajonit.
Sejko mori pjesë në konferencën për integrimin ekonomik evropian 2022, me temë “Politika ekonomike dhe monetare në kushtet e luftës – implikimet për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, të mbajtur në Vjenë, Austri, me ftesë të Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann.
Në konferencë merrnin pjesë përfaqësues nga bankat qendrore të vendeve të EQLJ-së, institucionet financiare ndërkombëtare, ekspertë, akademikë etj.
Qëllimi i kësaj konference ishte analizimi i ndikimit të krizave të njëpasnjëshme si lufta në Ukrainë, efektet e pandemisë COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, në ekonomitë e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Pavarësisht natyrave të ndryshme, këto kriza kanë një efekt vendimtar në politikën ekonomike dhe monetare të vendeve.
Guvernatori Sejko ishte i ftuar në këtë konferencë si folës në panelin me temë “Këndvështrimi i bankierëve qendrorë lidhur me politikën monetare në këtë periudhë ndryshimesh”, në të cilin u diskutuan: sfidat me të cilat përballet ekonomia botërore nga rritja e çmimeve dhe e pasigurisë, roli i politikës monetare dhe politikave fiskale e financiare në stabilizimin e situatës, analizimi i rreziqeve potenciale mbi aktivitetin ekonomik dhe stabilitetin financiar etj.
Në veçanti, Guvernatori u ndal në çështjen e inflacionit në vendin tonë dhe arsyet pse ky tregues është relativisht më i ulët në krahasim me vendet e rajonit. Ai theksoi se ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria po ndikohet nga inflacioni i lartë, i cili shënoi nivelin 8.3% në muajin tetor. Megjithatë ky nivel është një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon, ndërkohë që pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka një normë mesatare inflacioni prej gati 16%.
Lidhur me këtë, Guvernatori Sejko nënvizoi se ndryshe nga shumica e vendeve të tjera në rajon, kursi nominal i këmbimit në Shqipëri ka vazhduar të mbiçmohet, duke zbutur transmetimin e goditjeve të çmimeve të jashtme në ekonominë e vendit. Monedha jonë, leku, është mbiçmuar mesatarisht me 2.5% kundrejt euros gjatë vitit 2022, për shkak të të ardhurave të forta nga turizmi, IHD-ve të larta dhe primeve të qëndrueshme të rrezikut në tregjet tona financiare vendase. Kjo sjellje është përforcuar më tej nga një konvergjencë e ciklit të politikës sonë monetare me atë të Eurozonës. Paralelisht me të, çmimi i rregulluar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri ka ndihmuar në absorbimin e presioneve të huaja.
Përballë presioneve të forta dhe të qëndrueshme inflacioniste, Guvernatori Sejko nënvizoi se politika monetare duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit në afatin e gjatë. Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces gradual normalizimi të politikës monetare, duke treguar kujdes që shpejtësia e këtij normalizimi të sigurojë kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë të arsyeshme kohore dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik.
Gjithashtu, Guvernatori vuri në dukje faktin se projeksionet e skenarit tonë bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se stabiliteti financiar i vendit do të mbetet i pacenuar, edhe në prani të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.
Duke u ndalur në veçanti në çështjen e stabilitetit financiar, Guvernatori Sejko u shpreh se nga analizat tona, sektori bankar shfaqet likuid, i mirëkapitalizuar dhe rezistent ndaj goditjeve, si në skenarin bazë ashtu edhe në skenarët teorikë më ekstremë. Kjo rezistencë pasqyron, ndër të tjera, tha ai, efektet pozitive të reformave strukturore të ndërmarra në drejtim të përmirësimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, të konsolidimit të sektorit bankar, të fuqizimit të rrjeteve të sigurisë, si dhe të përmirësimit të sistemeve të brendshme të kontrollit të vetë bankave.
Megjithatë, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e vëmendshme ndaj çdo rreziku potencial mbi stabilitetin financiar, duke synuar marrjen në kohë të masave të nevojshme për garantimin e tij. Eksperienca e gjerë që Banka e Shqipërisë ka krijuar në administrimin e goditjeve në të shkuarën ofron një siguri më shumë për sektorin bankar dhe për vetë ekonominë shqiptare.